Diku në Lezhë, një tufë djemsh të rinj me pantallona kauboj, xhupa xhins dy numra më të mëdhenj, flokë të gjatë të ngërleshur, luajnë bilardo mbi një tryezë nxjerrë në qiell të hapur…

Diku më në veri, një burrë mban mbi supe një arkivol të zi, bosh dhe kalon nëpër përrua, më tej një tufë fëmijësh të veshur keq e me flokë të palarë bëhen kuriozë ndaj kamerës… Janë fillimvitet ’90. Shqipëria sapo ka dalë nga një prej diktaturave më të egra të shek. XX.

Nuk po përpiqet të rimëkëmbet, por të mbijetojë, si të mundë… Kanë kaluar vite prej atëherë. Disa tablo i gjen sërish, të tjera duken absurde, sikur nuk kanë kaluar ndonjëherë këtej pari. Fotografi austriak, Robert Pilcher, na kthen pas në kohë përmes një koleksioni fotografish, që vijnë pikërisht prej gati 30 vitesh më parë.

Disa nga fotografitë e ekspozitës Kthim në kohë-Shqipëria e viteve ‘90, realizuar nga austriaku Robert Pichler

Edhe ekspozitën e ka titulluar pikërisht kështu, “Kthim në kohë-Shqipëria e viteve ‘90″. Pasi e ka ekspozuar në qytete të ndryshme të Shqipërisë, nga Veriu, të cilin ai e njeh më së miri, në Jug, në Gjirokastër në Shtëpinë Muze të Kadaresë, ai e sjell ekspozitën në Tiranë, në bashkëpunim me ambasadën austriake, Bashkinë Tiranë dhe Muzeun Kombëtar.

Fotografi austriak Robert Pichler

Ekspozita e nisi udhëtimin e saj me autobus dhe u përurua fillimisht në stacionin e autobusëve të zonës së veriut në Tiranë, 18 muaj më parë. Autobusi i linjës Kombinat-Kinostudio, veshur me fotografitë e ekspozitës, do t’i bashkohet koleksionit “Kthim në kohë-Shqipëria e viteve ‘90″ në versionin e saj -ekspozitë në lëvizje.

“Me anë të fotografive të Robertit duam të zgjojmë kujtesën e përbashkët, jo si nostalgji, por si pikënisje për t’u marrë me një periudhë të historisë sonë që është lënë pas dore dhe ka mungesë të vetëdijes së duhur”, shprehet Edit Pula, kuratore e kësaj ekspozite.

FOTOGRAFI

Fotografi austriak nuk e kishte menduar se pas vizitës së parë në vitin 1989 në atë vend të çuditshëm, që gati-gati nuk kishte asgjë të përbashkët me vendin nga vinte, do kthehej e rikthehej aty. Kishte diçka sa tragjike aq edhe tërheqëse në atë vend, që e ftonte të kthehej sërish.

Disa nga fotografitë e ekspozitës Kthim në kohë-Shqipëria e viteve ‘90, realizuar nga austriaku Robert Pichler1

“Për herë të parë e vizitova Shqipërinë si student në 1989. Atë kohë, ishte tashmë e qartë se projekti komunist kishte dështuar- ekonomia po kalbej dhe shoqëria ishte nën vëzhgim të vazhdueshëm. Njerëzit që takuam ishin të frikësuar, por kuriozë të takoheshin me ne. Udhëtimi i parë e ka lënë një shenjë tek unë, vetëbesimi im u sfidua, por isha i tunduar të kthehesha në këtë vend sa më shpejt të ishte e mundur”, tregon fotografi, që do të kthehej vetëm tre vjet më vonë falë një burse gjashtëmujore për të kryer hulumtime mbi ndryshimet shoqërore në Shqipërinë e Veriut.

“Kushtet gjatë kësaj kohe kishin ndryshuar dramatikisht. Shqipëria po përballej me një transformim të zhurmshëm, gjë që vështirësoi përqendrimin tim mbi hulumtimin; edhe unë u përthitha nga trazirat politike. Ishte një rifillim total, por pa ditur se ku të çonte ai rrugëtim. Për shumë të tjerë ishte një luftë për mbijetesë, për të mbuluar nevojat më bazike, por njëkohësisht ekzistonte një shtytje dhe dëshirë e jashtëzakonshme për atë që ishte refuzuar kaq gjatë, liria për të menduar, lëvizur, për t’u shprehur dhe për të konsumuar arritjet e modernizimit teknologjik.

Disa nga fotografitë e ekspozitës Kthim në kohë-Shqipëria e viteve ‘90, realizuar nga austriaku Robert Pichler.jpg1

Vendi u përmbyt me mallra nga jashtë, trysnia e lëvizjeve u shfaq dhunshëm dhe makina, kamionë, çiklistë, karroca, kalimtarë zhvendoseshin nëpër rrugët që u kthyen në karvanë dhe pazaret u ngritën nga të gjitha anët. Për mua ishte një rikthim në rrethana, që i njihja vetëm nëpërmjet historive të treguara nga gjyshërit e mi: furnizimet e shtrënguara në ushqim, ujë dhe elektricitet, por në të njëjtën kohë kishte një orvatje të jashtëzakonshme për të mëkëmbur diçka të re”, shton ai.

Disa nga fotografitë e ekspozitës Kthim në kohë-Shqipëria e viteve ‘90, realizuar nga austriaku Robert Pichler2

“Shpesh kisha dëgjuar njerëz që thoshin se Shqipëria mund të kthehet në Zvicrën e Ballkanit, kushtet kishin qenë gjithmonë të pranishme, edhe pse fati nuk ia kishte bërë të lehtë vendit, por tani është koha e tij. Kur gjithçka vazhdoi rrugëtimin e nisur përpara, unë u zhyta në kërkime për lidhje historike, doja të eksploroja të kaluarën, arsyet për këtë udhëtim të veçantë, por gjithashtu humnerën shoqërore, fatet e atyre që u lanë vetëm dhe të dëbuarit. Takimet emocionuese, bashkë me respektin që gjeta te njerëzit, rritën interesimin tim për vendin dhe historinë e tij dhe kjo bëri që të kthehem rregullisht prej asaj kohe”.