AKU-ja e Shkodrës bllokon për asgjesim 44.5 ton pije alkoolike e ushqime që tregtoheshin jashtë standardeve nga dy subjekte tregtare. Po ashtu mësohet se njërit prej subjekteve i është ndërprerë aktiviteti si edhe u vendosen 8 gjoba me vlerë totale 2.3 milion lek. NJOFTIMI I PLOTE- Drejtoria Rajonale e AKU Shkodër, në bashkërendim me Strukturat e Policisë, ushtroi kontroll në subjektin “Briland shpk” me aktivitet “Prodhim pije alkoolike dhe joalkoolike” në Shkodër, veprimtaria e të cilit ishte bllokuar nga kontrolli i datës 20.09.2017, ndërkohë që sipas sinjalizimeve subjekti vazhdonte të ushtronte aktivitetin në kundërshtim me ligjin.

Në prani të Oficerit të Policisë Gjyqësore dhe të avokatit të subjektit, u krye inventarizimi i produkteve ushqimore nga ku u konstatuan 44.5 ton produkte (verë, raki, maja, uthull, ujë, lëndë e parë etj) që vërtetojnë se subjekti vazhdonte aktivitetin në shkelje të ligjit dhe duke shpërfillur Urdhërin e Bllokimit të organit kopetent të sigurisë ushqimore.

Nga kontrolli rezultoi se subjekti kishte prishur shenjat dalluese dhe vulat e sigurisë nga inspektimi i mëparshëm (në vendet e botës së zhvilluar, prishja e vulave të sigurisë së organeve kompetente përbën vepër penale, në Shqipëri akoma jo). Për këto shkelje ndaj subjektit u morën masat e mëposhtme: a) Gjobë 100,000 lekë për prishjen e shenjave dalluese të vendosura nga trupa inspektuese, b) Gjobë 200,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë, c) Gjobë 200,000 lekë për veprim në kundërshtim me kërkesat për pergjegjesite e operatorit te biznesit ushqimor, d) U la në fuqi vendimi i inspektimit paraardhës për ndërprerjen e veprimtarisë së subjektit, e) U bë bllokimi i 44,513 litra produkte (ujë, pije alkoolike dhe joalkoolike, lëndë e parë, maja e skaduar etj), dhe u morën 6 mostra për analiza laboratorike.

Nisur nga gjetjet e kontrollit në subjektin “Briland shpk” dhe duke ndjekur sistemin e gjurmueshmërisë për lëndën e parë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në zbatim të ligjit, ushtroi kontroll në subjektin “Ylli Merja” Tiranë. Nga kontrolli i ushtruar në këtë subjekt Drejtoria Rajonale AKU Tiranë konstatoi etiketa që keqinformonin publikun për aspekte të ndryshme shëndetësore. U konstatuan produkte ushqimore të cilat rezultuan të pa etiketuara apo me etiketë në kundërshtim me ligjin (fasule, sojë, qumësht gomarice, kavanoza me boronicë, caj, uthull me mbishkrime mjekësore, hudhër, arrë kokosi, lajthi, stika, arra etj). Ambjenti ishte i mbingarkuar me produkte, i pasistemuar, produktet ruheshin në dysheme dhe disa produkte mbaheshin edhe në ambjente sanitare. Nga verifikimi rezultoi se subjekti operon në këtë adresë i pa pajisur me licencë për aktivitetin përkatës, nuk operon me sistemin e vetkontrollit HACCP, si dhe nuk disponon sistem funksional gjurmueshmërie. Për shkeljet e konstatuara ndaj subjektit u morën masat administrative: a) Gjobë 1,000,000 lekë për ushtrim të aktivitetit pa licencën përkatëse (kategoria II.1.A (1)), b) Gjobë 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare, c) Gjobë 200,000 lekë për mungesë të planit të vetkontrollit (HACCP), d) Gjobë 200,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë, e) Gjobë 100,000 lekë për etiketim në kundërshtim me ligjin.