Shkarkohen brenda dy ditësh dy gjyqtarë të Gjykatës së Tiranës, kandidatë për në Gjykatën Kushtetuese, pasi Komisioni i Pvarur i Kualifikimit i gjen probleme me pasurinë. Dje u shkarkuar Ilir Mustafaj ndërsa sot Anila Guri.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren pranë Gjykatës së Tiranës Anila Guri (Kristani), në seancën e sotme të vettingut. Gjyqtarja ishte edhe kandidate për në Gjykatën Kushtetuese.

Në përfundim të hetimin administrativ për gjyqtaren Guri për të tri kriteret, atë të deklarimit të pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe profesionalizimit, problemet u hasën tek pasuria.

Gjyqtares ju gjetën nga KPK probleme me pasurinë të vëna në dukje në raportin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Sipas këtij raporti gjyqtarja Guri “nuk kishte kryer deklarim të saktë të pasurisë, s’ka burime të ligjshme, ka kryer fshehje e deklarim të rremë”.

Gjyqtarja Anila Guri (Kristani) e ka nisur karrierën e saj në korrik të vitit 1996 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku shërben prej më shumë se 23 vitesh.

Gjatë ditës së djeshme, të njëjtin fat pati edhe një tjetër kandidat për në Gjykatën Kushtetuese. Ilir Mustafaj, gjyqtar i Gjykatës së Tiranës, rezultoi me probleme me pasurinë. Prej një viti ai ishte në pritje për tu bërë gjyqtar në Kushtetuese, kandidatura që varen nga përmbyllja e listës që Këshilli i emërimeve në Drejtësi do t’i kalojë Kuvendit. Në përfundim të seancës së vendimit dje, Mustafaj u shpreh se ka humbur vendi, Gjykata Kushtetuese pasi sipas tij s’do të ketë në përbërje të saj një gjyqtar të ndershëm. Ai tha se ka mbështetur vettingun dhe reformën në drejtësi, por deklaroi se kundërshton shkarkimin duke paralajmëruar ankim.

Deri më tani në procesin e vettingut janë shkarkuar 67 gjyqtarë dhe prokurorë.

E vetmja kandidate nga gjyqtarët, për në Kushtetuese që ka kaluar vettingun është gjyqtarja Regleta Panajoti, e cila nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka rezultuar se nuk ka probleme me pasurinë, anën profesionale dhe integritetin moral.