Shumica ka nisur zyrtarisht procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Këtë të mërkurë paradite, në komisionin e ligjeve, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka parashtruar argumentet e palës që ka ndërmarrë edhe nismën në fjalë. Ndërsa përfaqësuesi i Presidentit të Republikës nuk ishte i pranishëm në sallë. “Presidenti ka marrë atributet e Kuvendit dhe sovranit, duke anuluar datën e zgjedhjeve e duke mos caktuar një datë të re”, tha Balla.

Nisma u kundërshtua nga deputeti i opozitës, Ralf Gjoni, i cili erdhi në Parlament si pjesë e listave shumëemërore nga Lëvizja Socialiste për Integrim. “Nuk e di nëse keni shkarkuar ndonjëherë President. Keni sjellë këtu një nismë të thjeshtë ligjore”, u shpreh Gjoni. “I thërras arsyes tuaj politike. Vendi po shkon drejt një kaosi të panevojshëm. Brenda 7 ditëve, Presidenti anulon datën, nuk hapen negociatat, Parlamenti bën karshillëk dhe shkarkon Presidentin. Një kalendar kaq i shpejtë është i nxituar. Brenda datës 26 qershor, ju do të çoni raportin në seance plenare. Shtyjeni pas zgjedhjeve”.

Kreu i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja tha se Presidenti është njoftuar për kërkesën dhe se nëse dëshiron mund të paraqitet në komision. Ai njoftoi ngritjene e komisionit hetimor.

“Presidenti i Republikës është njoftuar nga Kryetari i Kuvendit. Do ta dëgjojmë Presidentin në Komision nëse dëshiron. Do të ngremë komision hetimor”, deklaroi Manja. Më 26 qershor do të jetë dhe përmbyllja e procedurës së shqyrtimit dhe votimi i propozimit, çka do të pasojë me përgatitjen dhe përcjelljen e raportit seancës plenare.