Në çdo spital rajonal, por edhe në fshatrat më të largëta sot ekziston shërbimi i mamografisë, ndaj kërkohet një sensibilizim më i lartë për gratë dhe vajzat për të kryer kontrollet periodike.

Deputetët socialistë të Qarkut të Elbasanit zhvilluan sot një takim sensibilizues me gra dhe vajza në kuadër të “tetorit rozë”, muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.

Deputetja e PS-së, Evis Kushi theksoi rëndësinë e sensibilizimit për kryerjen e kontrolleve periodike për zbulimin dhe trajtimin e hershëm të kësaj sëmundjeje.

Duke sjellë shifra konkrete për të nënvizuar rrezikun e shtuar ndaj kësaj sëmundje, Kushi tha se “sot në botë, 1 në 8 gra preket nga kanceri i gjirit, ose thënë ndryshe çdo 29 sekonda në të gjithë botën një grua diagnostikohet me kancer të gjirit”.

“Sot kanceri i gjirit është sëmundja që shkakton vdekshmërinë më të madhe te gratë dhe vajzat në krahasim me të gjitha sëmundjet e tjera. Por nga ana tjetër, është vërtetuar shkencërisht që nëse kjo sëmundje diagnostikohet herët dhe në kohën e duhur mund të shpëtohen jetë. Madje statistikat tregojnë që vdekshmëria nga kanceri i gjirit është reduktuar falë kujdesit të hershëm, në masën 40%”, tha Kushi.

Edhe në fshatrat më të largëta, tha Kushi, gratë dhe vajzat kanë mundësi të kryejnë ekzaminimet falë shërbimit të mamografisë së lëvizshme.

“Duhet të rritet besimi që ju keni ndaj sistemit tonë shëndetësor, sepse janë bërë investime jo vetëm në aparatura, por edhe në infrastrukturë e shërbime të tjera cilësore. Ndaj sot është plotësisht e mundur që ne të diagnostikojmë sëmundjen në kohën e duhur”, i’u drejtua ajo grave të pranishme në këtë takim.

Ndërsa, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla zgjodhi që apelin e tij t’ia drejtojë në radhë të parë burrave që të bëhen të përgjegjshëm dhe të nxisin gratë në çdo shtëpi e familje, që të shkojnë të bëjnë kontrollin e mamografisë.

“Më vjen shumë keq që ne kohën më të madhe e harxhojmë duke u marrë me akuza me njëri-tjetrin. Mjaft më me këto histori, video pas video. Këtë muaj apeli i politikës duhet të jetë për sa më shumë verifikime dhe kontrolle mamografie”, tha Balla.

Po ashtu, deputetët socialistë drejtuan mesazhin që qytetarët të kryejnë check-up-in, pasi zbulohen një sërë sëmundjesh të tjera dhe kursehen afërsisht 60 mijë lekë në vit, për një grup analizash.

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here