Nga Altin Ketro

Ideja fikse e Lulzim Bashës, që shkon deri në përbetim, që nuk takohet e as e njeh Edi Ramën për kryeministër, janë shenja të këqija. Dihet që kryetari i partisë më të madhe opozitare është edhe sfidanti kryesor për të pretenduar postin e kryeministrit. Si i tillë ai ka detyrim që qysh në opozitë të tregojë mes shembujve, pozitiv a negativ, se si do të jetë nesër në pushtet.

Në rastin e Lulzim Bashës, ai tregon gjithnjë e më shumë se është një njeri plot komplekse. Çdo hap që ai mund të hedhë në drejtim të një dialogu me kundërshtarin, i konsiderohet si pazar, prandaj gjithnjë e më shumë e ka rënduar retorikën e tij boshe ku s’lë rast pa thënë që nuk takohem me Edi Ramën.

Kjo është veti e liderëve të dobët, që nuk kanë fuqi jo më të mundin kundërshtarin politik, por as të bindin të vetët për hapat që hedhin. Duke qenë të këtillë, këta liderë ndërmarrin veprime ekstreme për t’u dukur të fortë në sytë e mbështetësve të tyre.

Liderë të tillë dritëshkurtër mbase nuk e dinë, ose luajnë rol budallai duke bërë sikur s’e dinë, që asnjë parti nuk vjen në pushtet në Shqipëri vetëm nga votat e elektoratit të saj tradicional. Është edhe një elektorat tjetër, që identifikohet me ngjyrën gri, i cili bën diferencën, që luan rolin e kingmaker-it, ai që të sjell apo të mban në pushtet.

Ky lloj elektorati zakonisht është i heshtur dhe mendohet deri në momentin sapo hapen kutitë e votimit. Ama, në atë çast e ndan mendjen, sipas situatave, të rrijë në shtëpi, apo të ndërhyjë si ato grupet e gatshme për të rivendosur rendin publik, domethënë, për të mbajtur apo rrëzuar një forcë politike nga pushteti dhe anasjelltas, për t’i pamundësuar opozitës ardhjen në pushtet.

Kjo ushtri elektorale nuk mund të bëjë kurrë aleancë me të keqen që e gjen mbështetjen tek huliganizmi. Huliganizmi është veti e grupeve shoqërore anarkiste antisistem e antishtet. Edhe në Evropën Perendimore ka formacione politike ekstremiste, por ato janë ekstremiste në retorikë dhe program për çështje të caktuara si psh emigracioni, por kurrsesi në veprime guerilase që vënë në dyshim ekzistencën e shtetit.

Nuk kam parë askund në Evropë parti politike që pretendojnë pushtetin, që të sulmojnë me molotov institucionet kushtetuese të shtetit. Sepse ato e dinë që jo vetëm humbasin elektorat e ndëshkohen ligjërisht, por nuk duan që pikërisht atë që sot ato ia bëjnë kundërshtarit, ai të mos ua bëjë atyre nesër kur të kryhet rotacioni politik.

Është pikërisht ngutja e Lulzim Bashës për të ardhur në pushtet, ajo që ia errëson arsyetimin dhe e bën vegël të vendimmarrjeve të nxituara plot sfond ekstremist. Ai padyshim që nuk e mendon veten kryeministër, sepse po ta mendonte do e dinte që nesër, ashtu siç po vepron ai sot, kundështari opozitar nuk do ta njohë si kryeministër dhe do ndërmarrë akte reciproke.

A i ka sytë në ballë Lulzim Basha për të parë se si e pret populli Edi Ramën në turin e tij elektoral? Po a mund të përjashtohet një njeri me ndikim të tillë elektoral, sikur të ishte askushi, duke i thënë thjesht IK? Si mund të iki me një llaf goje të kryetarit të PD-së, një makineri votash si Edi Rama? Absurdi në këtë rast arrin kulmin e vet.

Shikoni se çfarë sfide të paimagjinueshme ka bërë Edi Rama kundrejt Lulzim Bashës, sfidë që Berisha e Basha jo që s’do e bënin kurrë, por dyshoj se edhe një lider i ardhshëm i PS-së zor se e bën. Kur Lulzim Basha kërkoi formimin e një qeverie tranzitore për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, Edi Rama, si një lider me formim evropian, i hodhi në mejdan sfidën kuptimplotë: “Hyr në zgjedhjet vendore, fito si opozitë e bashkuar një bashki më shumë se sa PS-ja, dhe unë jam i gatshëm që ta çoj vendin në zgjedhje të parakohshme.” Këtë hap ndërmori Cipras sapo humbi zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe ato për pushtetin lokal në Greqi, ndonëse atje zgjedhjet e kishin afatin vetëm pas 4 muajsh, kurse në Shqipëri duhet edhe 2 vjet që të zhvillohen.

Lulzim Basha e refuzoi këtë sfidë që çdo opozitë në botë do ta ëndërronte, sidomos duke shfrytëzuar avantazhin që opozitën aktualisht e ka të bashkuar rreth tij. Kur Lulzim Basha nuk ndjen siguri ndërkohë që ka në krahë LSI-në, PDIU-në dhe një takëm partish të tjera, mos vallë do ndjejë siguri kur të mos i ketë më në krah ato?!

Dhe bëhet fjalë që Luli të fitonte vetëm 31 nga 61 bashki gjithsej, sfidë që ai s’e mori në konsideratë për një arsye të thjeshtë: Nuk beson se zonat e lira që do t’i linte LSI-së do prodhonin kandidatë fitues. Luli e di shumë mirë që në ato zona, demokratët ose do e nxirrnin fletën e votimit të pavlefshme, ose do votonin për kandidatin socialist.

E pra, kjo lloj opozite dhe ky farë mender lideri me emrin Lulzim, jo që s’kanë frymë demokratike në logjikën e tyre të mbrapshtë, por çdo ditë e më shumë tregojnë me veprime të pashpjegueshme se sa të rrezikshëm do të jenë nesër po t’u besohet pushteti. Kur marrjen e pushtetit ata e shohin si qëllim në vetvete, absolutisht edhe mbajtjen e tij ashtu do ta konsiderojnë.

Çdo anashkalim për të mbyllur sytë sot përpara këtij rreziku, nesër do të përballemi me individë që për të mbajtur pushtetin me çdo kusht, do të jenë të gatshëm të vrasin. Kur ata revolucionin gjakderdhës e kanë ndërmend tashmë në opozitë, nesër, në pushtet, s’e kanë për hiçgjë instalimin e juntës së dhunës e terrorit.

Lëre se çfarë llomotitin sot duke akuzuar mazhorancën, sepse vetëm duke e akuzuar atë si të kriminalizuar arrijnë të justifikojnë në formë alibie dhunën ndaj institucioneve. Do të jenë po këta që do gjejnë nesër si argument pikërisht mbrojtjen e institucioneve për të shtypur një reagim të njëtrajtshëm të opozitës, kur vetë të jenë në pushtet. Sot ata në opozitë e konsiderojnë normale djegien e kryeministrisë a Kuvendit, por nesër në pushtet, për t’i mbrojtur ato do jenë të gatshëm të vrasin 4, 30 a 300 demonstrues për t’i mbrojtur ato godina dhe pushtetin e tyre.

Shenjat e këqija që personifikon sot Lulzim Basha janë një kambanë alarmi për nesër. Ai dhe mendësia e tij revanshiste duhet ndëshkuar sa më parë me votë që nesër të mos na kthehet në trend a model ku duhet ta kopjojnë të tjerët. Kushdo që e shpërfill këtë realitet sot, nesër s’do ketë më të drejtë as për të kërkuar ndjesë. (Gazeta tema)