Në një intervistë botuar dy javë më parë në DITA, Geri Kokalari foli mbi një proces gjyqësor që Shkëlzen Berisha kishte hapur në SHBA.

Këto ditë një gjykatë në Florida hodhi poshtë pretendimet e tij, duke pushuar çështjen ndaj autorit amerikan Guy Lawson, autor i librit për Gërdecin.

Tashmë, pasi u mësua vendimi i gjykatës amerikane, unë iu drejtova sërish zotit Kokalari dhe bëra me të këtë bisedë, botuar sot në DITA:

– Zoti Kokalari, morëm vesh se Shkëlzen Berisha e humbi gjyqin që kishte hapur në SHBA për çështjen e Gërdecit, ku kërkonte jo pak, por 60 milionë dollarë për të vënë në vend dinjitetin e pretenduar si të nëpërkëmbur. Si do ta komentonit këtë humbje të Shkëlzenit?

– Shkurt, troç e qartë, Shkëlzeni humbi sepse gjykata vendosi se nuk kishte asgjë të bazuar në padinë e tij. Ndryshe nga Shqipëria, gjykatat në SHBA nxjerrin konkluzione duke përdorur fakte, jo ndikim.

Unë besoj se një nga arsyet kryesore që ka humbur është se para se Guy Lawson të shkruante “Qentë e Luftës”, informacioni që minonte reputacionin e Shkëlzen Berishës tashmë ishte shpërndarë në domenin publik nëpërmjet mediave të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Si mund të fajësohej Lawson për dëmtimin e një reputacioni që tashmë ishte dëmtuar?

Sipas mendimit tim, Shkëlzeni vendosi të lançojë rastin e tij këtu në SHBA, me mendimin se nëse doni të nisni proces gjyqësore, është mirë të paditni atë me xhepat më të thellë. Dhe në këtë rast xhepat më të thellë u gjetën në pantallonat e Simon & Schuster, botues i War Dogs, i cili është gjithashtu degë e një prej organizatave më të mëdha të medias në botë dhe ka mbulim sigurimi për t’i mbrojtur ata kundër kostove ligjore si kjo.

Në thelb, Shkëlzenit i bënë sytë xixa për dollarë duke shpresuar se do t’ia dilte, por gjithashtu besoj se Shkëlzeni mendonte se nëse mund ta mposhtte këtë perandori mediatike, ai do të kthehej në Shqipëri si një hero, madje ta përdorte këtë fitore për të ndërtuar një karrierë politike, duke pretenduar se reputacioni i tij u pastrua nga një gjykatë e SHBA. Deshi të vriste dy zogj me një gur.

Për fat të keq, Shkëlzeni mbeti pa zogj dhe pa gurë. Dhe Simon & Schuster u detyrua të shpenzonte një shumë të madhe parash për të mbrojtur reputacionin e të pandehurve, Ndoshta qindra mijëra dollarë, ndoshta më shumë.

Të pandehurit tani mund dhe duhet të ngrenë një padi kundër Shkëlzenit duke kërkuar rikuperimin e dëmeve financiare që kanë shkaktuar nga ajo që tashmë u vulos si një padi e pabazë.

– Çfarë mund të ndodhë më tej me zotin Berisha, pra me Shkëlzenin, zoti Kokalari?

– Kjo pyetje më kthen në atë që thamë gjatë intervistës sime të fundit me DITA-n: si ishte Shkëlzeni në gjendje të përballonte barrën financiare për kryerjen e kësaj padie?

Vendimi i gjykatës ngre pyetje të tjera, të tilla si, nëse gjykata nuk i besoi argumentet e Shkëlzenit, a duhet të supozojmë se pohimet në librin e Lawson se Shkëlzeni ishte i përfshirë në AEY janë të vërteta? Nëse po, atëherë ndoshta është koha për të hapur një hetim se kush në Shqipëri ishte përgjegjës për AEY.

Në fund të fundit, Departamenti Amerikan i Drejtësisë përcaktoi se Diveroli dhe bashkë-komplotistët e tij AEY u gjetën fajtorë për mashtrimin e qeverisë së SHBA dhe shkuan në burg. Por siç thuhet për një vallëzim tango duhen dy. Pra, kush në Shqipëri e ndihmoi AEY-në ta kërcejë këtë tango?

Nëse Basha është kaq i interesuar sa thotë në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri, a nuk duhet të gjejë se kush në Shqipëri ka komplotuar me AEY për të kryer krimin? Pavarësisht se qeveria e Shteteve të Bashkuara ka përcaktuar një krim, një hetim për marrëveshjen e AEY nuk është iniciuar kurrë në Shqipëri, sepse Sali Berisha ishte në krye të qeverisë në atë kohë.

A ishte pikërisht ai duke punuar fshehtas për dikë? Mendjet hulumtuese dhe të interesuara duan të dinë tashmë pas këtij vendim të gjykatës në Florida.