Pas Rusisë dhe Kinës, edhe Shtetet e Bashkuara njoftuan planet për të ndërtuar një stacion të përhershëm në Hënë. Lajmi u dha nga zv./presidenti Mike Pence në 50-vjetorin e zbarkimit të njeriut të parë në Hënë. Objektivi për të arritur Hënën, reflekton dëshirën e presidentit Trump në prag të shpalljes së kandidaturës për t’u rizgjedhur.

Në 50-vjetorin e zbarkimit të njeriut të parë në Hënë, Shtetet e Bashkuara njoftuan se po bëhen gati të rikthehen në satelitin natyror të Tokës brenda 5 viteve të ardhshme. Zëvendëspresidenti,Mike Pence, tha gjatë një fjalimi në qendrën hapësinore dhe raketore Huntsville të Alabamës se objektivi i NASA-s për t’u rikthyer në Hënë në vitin 2028 nuk ishte aq ambicioz.

Sipas tij edhe në vitin 1962 kishte nga ata që mendonin se misioni ishte shumë i rrezikshëm dhe i shtrenjtë. “Ka ardhur koha që të hedhin e madh përpara dhe të kthejmë astronautët në Hënë dhe të ngremë aty një bazë të përhershme për të zhvilluar teknologjitë që do të mund t’i çojnë amerikanët në Mars e përtej”.

Por caktimi i këtij objektivi, që me shumë gjasa do të kushtojë dhjetëra miliardë dollarë, vjen në një kohë kur NASA po has vështirësi financimi dhe vetëm me ndihmën e kompanive private ka rifilluar dërgimin e astronautëve në hapësirën kozmike. Objektivi për të arritur Hënën, reflekton dëshirën e presidentit Donald Trump për të ringjallur krenarinë kombëtare në prag të shpalljes së kandidaturës për t’u rizgjedhur.

Gjithashtu Uashingtoni synon t’i kundërpërgjigjet Rusisë dhe Kinës në një garë të mundshme të dërgimit të armatimeve në hapësirë. Objektivi është ambicioz, por në projektbuxhetin e fundit, administrata e presidentit Trump propozoi reduktimin e financimeve për zbulimet kozmike me 15 për qind.