Ndërsa ish-prokurori i posaçëm, Robert Mueller përgatitet të dëshmojë para komisioneve juridike dhe të zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve të mërkurën, një gjë është e qartë: prokurori me përvojë dhe ish-drejtori i FBI-së, nuk do të thotë asgjë që nuk është pjesë e raportit përfundimtar që i dorëzoi Prokurorit të Përgjithshëm, William Barr.

“Raporti është dëshmia ime”, deklaroi zoti Mueller më 29 maj në Departamentin e Drejtësisë. Por anëtarë demokratë dhe republikanë të dy komisioneve thonë se kjo nuk do t’i pengojë ata t’i bëjnë zotit Mueller pyetje të vështira për të nxjerrë informacion shtesë. Ndërkohë miliona amerikanë që nuk e kanë lexuar raportin prej 448 faqesh të prokurorit të posaçëm, do të mësojnë për herë të parë nga seancat lidhur me detajet shqetësuese për mënyrën sesi Rusia u përpoq të ndikonte tek rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2016, në favor të kandidatit Donald Trump dhe se si në postin e presidentit, ai u përpoq të ndërhynte në hetim.

Çfarë qëndrimi do të mbajnë demokratët? Demokratët që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve thonë se edhe nëse prokurori i posaçëm thjesht lexon raportin, kjo do të informote publikun amerikan lidhur me përfundimet e një hetimi që ata mendojnë se fajëson Presidentin Trump. Një sondazh arriti në përfundimin se vetëm 3 për qind e amerikanëve e kanë lexuar të gjithë raportin.

“Janë fakte mjaft inkrimunuese. Personi që drejtoi hetimin është njeriu më i përshtatshëm për t’i paraqitur ato”, tha kreu i Komisionit të Zbulimit, Adam Schiff në emisionin “Face the Nation” të televizionit CBS të dielën. Demokratët e shohin gjithashtu seancën si një mundësi për të paraqitur “prova” se zoti Trump pengoi hetimin. Nëse zoti Mueller nuk dëshiron të shkojë përtej përfundimeve të raportit, ata thjesht do t’i referohen raportit, duke i kërkuar prokurorit të posaçëm që të shpjegojë deklaratën.

Përgjigjet e zotit Mueller ka gjasa t’i zhgënjejnë demokratët. Ai nuk i karakterizon në asnjë pjesë të raportit veprimet e zotit Trump si “provë” të pengimit të drejtësisë.

Po republikanët? Aleatët e Presidentit Trump në Kongres thonë se zoti Mueller nuk gjeti asgjë inkriminuese për zotin Trump dhe se kjo çështje duhet mbyllur. Por ata e kanë bërë gjithashtu të qartë se kanë ndër mend ta pyesin zotin Mueller për një hetim që ata thonë se është defektoz dhe me fillesa të dyshimta.

“Të mos harrojmë se raporti i zotit Mueller është i njëanshëm. Nuk është vënë në pikëpyetje nga pala tjetër. Ky është shansi ynë për ta bërë një gjë të tillë”, tha kongresmeni Doug Collins, kryerepublikani i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve në emisionin “Fox News Sunday.” Mbështetësit republikanë të presidentit, pretendojnë se hetimi i zotit Mueller ishte i njëanshëm kundër presidentit.(VOA)