Në datat 7 deri 9 qershor u mbajt në Sofie të Bullgarisë konferenca ndërkombëtare me temë “Politikat demografike dhe të rinjtë në Ballkanin Perëndimor”. Në konferencë morën pjesë përfaqësues të Ballkanit Perëndimor, si dhe ekspertë ndërkombëtarë.

E pranishme në Konferencë ishte dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar për Rininë, Irsa Ruçi. Në fjalën e saj, znj. Ruçi shprehu domosdoshmërinë për një angazhim sa më gjithëpërfshirës të të rinjve në vendimmarrje.

Me moton ” është koha që të rinjtë të marrin fjalën”, në takimin dy ditor u diskutuan çështje që lidhen me ngritjen e cilësisë së qëndrueshmërisë në zhvillimin e politikave të të rinjve. Ideja e eventit lindi nga Udhëzuesi për Standartet e Cilësisë së politikave rinore, nga Forumi Europian i Rinisë i zhvilluar në bashkëpunim me organizatat rinore dhe këshillat kombëtare të të rinjve.

Objektivi kryesor i konferencës ishte krijimi i një hapësire për shkëmbimin e informacionit mbi gjendjen aktuale të politikave rinore, praktikat e mira dhe mundësitë për të zbatuar Standardet e Cilësisë në zhvillimin e politikave rinore në nivel kombëtar dhe rajonal.

Rezultatet e konferencës hodhën bazat e dialogut dhe bashkëpunimit të ardhshëm midis partnerëve në kuadër të proceseve të avokimit.

Politikat e ndjekura nga qeveria shqiptare gjatë viteve të fundit, i kanë dhënë prioritet mekanizmave që forcojnë përfshirjen e të rinjve në shoqëri dhe në tregun e punës. Programi i praktikave të punës është një shembull konkret, që ka treguar sukses në implementim. Ndërsa ligi për rininë do i japë një tjetër frymë qasjes ndaj rinisë, por mbi të gjitha i drejton politikat qeveritare në funksion të të rinjve.

Konferenca provoi profecinë që Viktor Hygo kishte parashikuar që në shekullin e 19 -të se “do të vijë një ditë ku të gjitha kombet e kontinentit, do bashkohen pa i humbur vlerat e tyre unik, duke reflektuar individualitetin në formën e vëllazërisë Europiane”.

Konferenca u mundësua nga Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), ku rol të rëndësishëm zunë edhe raportet studimore të publikuar prej tyre.