Trajneri portugez Jose Mourinho ka marrë një ofertë nga skuadra e Romës, për të drejtuar verdhekuqtë sezonin e ardhshëm në Serinë A. Lajmin e kanë konfirmuar si “Sunday Times” ashtu dhe “Daily Record”, që konfirmojnë se skuadra kryeqytetase ka qenë e para që ka kontaktuar menaxherin e trajnerit portugez.

“Roma është skuadra e parë që ka kontaktuar me Jose. Madje organizuan një takim me trajnerin, për të kuptuar nëse ai ishte i interesuar për këtë detyrë apo jo. Gjithsesi, Jose refuzoi në mënyrë të edukuar. Ai ka deklaruar se në Serinë A do të rikthehet vetëm për të drejtuar ekipin e Interit”, thonë mediat britanike.

“Kjo është një punë që nuk më intereson. Nuk është vendi i duhur për mua”, mësohet se ka thënë Mourinho, që duket se synon një klub të rëndësishëm, si në Itali ashtu dhe në ndonjë kampionat tjetër. Sipas Mourinho skuadra e Romës nuk ka potencialin e duhur për t’i ofruar atij një ekip fitues, ndaj është në pritje të ofertës së duhur.