-Aktiviteti ekonomik në vend ka ardhur në rritje

Aktiviteti ekonomik në vend ka ardhur në rritje, e cila është pasqyruar në shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve prodhuese, sikundër tregon rritja e punësimit, reduktimi i normës së papunësisë, si dhe forcimi i presioneve të brendshme inflacioniste.

Kështu deklaroi sot Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, në konferencën e fundit për këtë vit me median, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, që diskutoi mbi zhvillimet e fundit ekonomike dhe financiare në vend, pritjet për të ardhmen, përshtatshmërinë e qëndrimit të politikës monetare, si dhe çështje të tjera të organizimit dhe drejtimit të Bankës së Shqipërisë.

“Kjo ecuri ka qenë përgjithësisht në përputhje me pritjet tona të mëparshme dhe nuk sjell ndryshime të rëndësishme në parashikimet tona për të ardhmen. Ndër të tjera, ajo evidenton ndikimin pozitiv që ka pasur politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë, dhe sugjeron se qëndrimi aktual i kësaj politike mbetet i përshtatshëm, si për të siguruar një rritje ekonomike në linjë me potencialin prodhues të vendit, ashtu edhe për të garantuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2020”,– tha Sejko.

Në këndvështrimin sektorial, theksoi Guvernatori, zgjerimi i aktivitetit ekonomik duket se pasqyron kryesisht rritjen e prodhimit në industri e shërbime.

“Rritja ekonomike duket se ka vijuar të mbështetet nga zgjerimi i konsumit dhe i investimeve private, si dhe nga rritja e eksporteve shqiptare. Në balancë, konteksti i përgjithshëm i zhvillimeve ekonomike dhe financiare në vend mbetet pozitiv”-theksoi ai.

Sejko tha se, ekonomia shqiptare vijon të përfitojë nga ecuria pozitive e partneritetit me vendet e huaja. Ndërkohë që zgjerimi i aktivitetit ekonomik ka vijuar të mbështetet nga politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë.

“Kjo politikë është transmetuar nëpërmjet nivelit të ulët të normës bazë të interesit, injektimit të vazhdueshëm të likuiditetit në tregun e brendshëm financiar, orientimit të tregut mbi kahun e politikës monetare në të ardhmen, si dhe ndërhyrjeve selektive në tregun valutor gjatë periudhës së verës”, – tha Sejko.