Qyteti i Shkodrës mbetet ende problem, edhe pse është zbardhur vrasja e dy vëllezërve Bilali. Ministri Lleshaj ishte në qytetin verior më 1 prill, por policia nuk ka kapur ende njeriun kryesor të atij rasti kriminal, që është Ibrahim Lici, i cili prej javësh po konsiderohet nga Policia e Shtetit si “njeriu hije”.

Përse po dështon policia në kapjen e tij? “Kapja është çështje kohe, kapja është një gjë e thjeshtë. Por kapjen e një personi në kërkim e pengojnë disa faktorë. Nga identifikimi dhe vërtetimi i të gjitha rrethanave është një hap shumë i rëndësishëm, pasi varet nga personi në kërkim, mbështetja që ka ai, paratë që zotëron, rrezikshmëria shoqërore, apo edhe shumë aspekte të tjera”, tha Sandër Lleshaj për “Top Show”. Ministri Lleshaj foli më tej për ekzekutimet mafioze të kohëve të fundit dhe a janë forcuar pozitat e krimit më shumë se kurrë më parë në vendin tonë?

“Sot nuk është dita më e keqe e policisë, madje mund të them se janë ditët më të mira, edhe pse ka ditë edhe më të mira. Policia shqiptare ka vështirësi sa i përket dokumentimit. Ka vepra që policia e di shumë mirë se kush e ka bërë krimin, por dokumentimi është një sfidë më vete. Kjo nuk do të thotë që policia është e dobët në vetvete”, tha ministri Lleshaj.