Samsung do të sjellë një inovacion të fuqishëm teknologjik me Galaxy S 10, që do të jetë maja e ardhshme e smartfonëve që kompania koreanojugore do të paraqesë në fillim të vitit 2019, e cila do të shënojë edhe dhjetëvjetorin e serisë “S” të këtij smartfoni. Shumë më i fuqishëm, kushtuar përvjetorit të dhjetë, ai do të quhet “Beyond X” (Përtej X) dhe do të jetë një “përbindësh” me 6 kamera, të pajtueshme me rrjetet 5G.

Sipas “Wall Street Journal”, kompania koreane “Samsung” do të zbulojë në muajt e parë të vitit të ardhshëm katër versione të reja të pajisjes.

Të katër produktet, shkruan gazeta, do të paraqiten sëbashku, në një ngjarje të planifikuar në mes të muajit shkurt 2019. Tre celularët “normalë” Galaxy S10, me ekrane midis 5.8 dhe 6.4 inç, do të mbërrijnë të parët në treg. Këto do të pasohen nga “Beyond X”, një emër që të kujton iPhone X, që konkurrenti i përjetshëm i Samsung, Apple zbuloi vitin e kaluar për të festuar ditëlindjen e dhjetë të iPhone.

Beyond X do të ketë një ekran më të madh, 6.7 inç, si dhe do të përbëhet nga 6 kamera: 4 të pasme dhe 2 përpara. Do të jetë në përputhje me rrjetet e reja të gjeneratës së pestë (5G), që do të lançohen në mbarë botën në 2019.