Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj ka komentuar zhvillimet politike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “Sot”, Brokaj u shpreh i bindur se ish-kryeministri Sali Berisha, madje edhe opozita në tërësi janë vënë në alarm nga ecuria e reformës në drejtësi. Kështu që sipas tij, si Berishën ashtu edhe eksponentë të lartë të opozitës nuk i shpëtojnë dot thirrjet e tyre dëshpëruese për revolta nga ora e së vërtetës që po troket për ta. Madje, Brokaj shtoi më tej kur theksoi se Berisha bën thirrje për revolta, si një mënyrë për të trembur Partinë Socialiste. Sa i takon publikimit të video-përgjimeve nga ana e Partisë Demokratike, ish-ministri i Mbrojtjes u shpreh se ato janë normale në një kohë kur këto dalin nga selia blu, që sipas tij, është kthyer në një fabrikë manipulimi faktesh.

-Zoti Brokaj, Partia Demokratike gjatë ditëve të fundit ka vënë në qendër të sulmeve të saj kreun e grupit të PS, Taulant Balla. Keni një koment?

Në pikëpamje të taktikave të luftës politike si rregull luftohet figura kryesore e kundërshtarit. Dhe Taulant Balla tashmë ka dalë në evidencë si kryetar i grupit, si sekretar i Partisë Socialiste që është një figurë qëndrore. Kështu që pas kryeministrit Edi Rama, vetvetiu ose natyrshëm i takon Ballës që të jetë target i sulmeve të opozitës, duke e luftuar me të njëjtin intensitet edhe këtë të fundit. Pra sulmi në kuptimin taktik është normal. Aq më shumë që opozita këto i bën që të paralizojë sulmet e Ballës kundrejt saj. Thënë më drejtë është si puna e artilerisë që kush e kush të qëllojë i pari pozicionet e kundërshtarit. Por lufta që bën opozita dhe në rastin konkret Partia Demokratike, dhe faktet që sajon e kthejnë krejtësisht dhe qesharak, madje dhe jo produktiv sulmin e saj. Ndërkohë që mund të thuash faktikisht që është normale që të sulmohet figura kryesore, konkretisht mund të them se sulmet janë të përmasave të një skandali për nga përmbajtja dhe formave që kryejnë ata. Si përfundim edhe pse nuk dua të fyej, opozita e sotme është opozita më qesharake në botë, për shumë arsye.

-Partia Demokratike vijon me publikimin e video-përgjimeve ku në qendër të akuzave të saj janë eksponentë të lartë të PS. Si ju duket kjo lëvizje e PD dhe a është normale që një opozitë përdor skandale i mënyrën e vetme për të ardhur në pushtet?

Pikërisht këtë do të thosha. Opozita shqiptare jovetëm që është joserioze por është kthyer edhe në një fabrikë manipulimi faktesh dhe gjetjesh. Kështu që duke parë lëvizjet e fundit të opozitës, me të drejtë mund të themi se kemi vazhdimin e serialeve të tjera të telenovelës “Babale”. Opozita nga që nuk ka asnjë argument dhe provë të faktueshme që të sulmojë mazhorancën qeverisëse dhe eksponentët e saj më të lartë, shpifin dhe sajojnë sa më shumë të munden. Dhe në rastin konkret opozita me sulmet e saj e forcon në një farë mënyre figurën e Taulant Ballës jovetëm brenda partisë ku ai bën pjesë por edhe në publik. Ndërkaq që nuk krijojnë dot një raport të tij me elektoratin në favor të opozitës, pra nuk e dëmtojnë figurën e Ballës në raport me elektoratin. Ndërsa me Partinë Socialiste natyrshëm e forcojnë, pasi figura që goditet në një parti më shumë, mbështetet më tepër nga partia, anëtarët, madje edhe simpatizantët e saj. Kështu që efekti i sulmit të opozitës duke nxjerrë si flamur kundër kundërshtarit video-përgjime apo video-skandale, në këtë mënyrë të tipit “Babale”, vetëm e forcon Partinë Socialiste dhe nuk e dëmton. Pra si përfundim nga kjo lojë, ajo që humb dhe merr kosto është Partia Demokratike.

-Kryetari i PD, Lulzim Basha ka hedhur idenë e vetingut në politikë. Keni një koment për këtë tezë dhe pse Basha e bënë këtë lëvizje kur shumë mirë vetingun për politikanët e bën fare mirë SPAK dhe BKH?

Komentet e shumta që injorojnë dhe kundërshtojnë fuqishëm idenë e hedhur nga kreu i PD, Lulzim Basha, për mendimin tim janë korrekte për disa arsye. E para ka të bëjë me ngritjen e dy organeve kyçe në të cilët varen shpresat e luftës anti-korrupsion, e asaj lufte që vetëm këta dy institucione kanë tagrin që ta gërryejnë me themel fenomenin duke e sulmuar deri në embrion. Pra, Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim apo kushdo parti tjetër që përbëjnë habitatin e opozitës po sajojnë këtë veting në politikë nga frika që kanë nga reforma në drejtësi, kryesisht nga SPAK-u. Kështu që sajojnë këtë veting që demek të bëhet brenda Parlamentit. Por shtrohet një pyetje Komisionet e Parlamentit kur kanë zgjidhur ndonjë gjë deri më sot, që do zgjidhin vetingun?! Ndaj duke e ditur këtë që sapo citova më sipër, Partia Demokratike po sajon këto mënyrë vetëm e vetëm se si t’i shmanget vetingut real siç rasti konkret vetingu në politikë,që e bëjnë fare mirë SPAK-u dhe BKH. Por thashë që kjo është një lojë politike e ngjizur nga opozita që është lehtësisht e demaskushme dhe natyrisht plotësisht e shmangshme dhe e panevojshme. Thënë më drejtë, kjo është një lojë dhe një sajim jo i zgjuar dhe i pistë nga ana e opozitës.

-Po thirrjet e Partisë Demokratike kundër oligarkëve si i shihni? A rrezikon Basha që përmes këtyre thirrjeve të trembë investitorët dhe biznesmenët?

Shiko! Po të kthehemi pas në kohë dhe të shikojmë historinë e Partisë Demokratike, kur kjo e fundit do të merrte pushtetin në vitin 2005, thoshte se do të bënte çudira me korrupsionin, me investuesit, me konçensionet, madje me të gjithë ata që ajo i konsideronte armiq. Dhe dihet se çfarë prodhoj ajo retorikë e ashpër asokohe. Kështu që thirrjet e Bashës, nuk janë gjë tjetër veçse një ripërsëritje e një lojë të dështuar politike të Partisë Demokratike, pas të cilës fshihet Berisha. Këto janë retorika formale dhe të dala boje, pasi asnjë investitor nuk ka pse trembet kur është korrekt me ligjin. Shiko! Në thelb si “Babalet” si thirrjet anti-investitor dhe luftën politike të nxitur nga opozita, tregojnë që fare mirë që Shqipëria fatkeqësisht nuk ka opozitë. Opozita në Shqipëri ka vdekur. Opozitë do të thotë mendje dhe alternativë, që për fat të keq mungon tek opozita e sotme. Ata nuk ofrojnë asgjë dhe shohin si rrugë vetëm sajesat. Mos harroni që shpifjet është degë e vjetër që ekziston në korpusin e Partisë Demokratike, e filluar qysh në vitin 1990-1991 nga Sali Berisha. Por ndryshe nga sot asokohe i hante gurët Partia e Punës, dhe drejtuesit e atëhershme të PP-së dhe Partisë Socialiste që erdhi më pas. Dhe po ajo kohë po përsëritet por tani kundër figurave të reja, të ngritura dhe karizmatike të Partisë Socialiste.

-Reforma në drejtësi tashmë ka nisur të zbatohet. Si e shihni ecurinë e saj dhe kush janë pritshmëritë tuaja nga kjo reformë?

Për mendimin tim objektiv dhe të jem i sinqertë me ju, unë shoh se ka progres dhe jam optimist në lidhje me ecurinë e reformës në drejtësi. Dihet më sakët se kush e formuloi dhe e mbështet fuqishëm reformën në drejtësi siç janë dy aktorë të rëndësishme si SHBA dhe BE. Dhe qoftë edhe duke parë rrugën dhe ecurinë e deri tanishme të procesit të vetingut, lë dhe na jep sinjale se duhet të jemi optimist, pasi ka ardhur koha që edhe Shqipëri të këtë një sistemi drejtësie të pastër dhe të pavarur. Nga ana tjetër, pavarësisht pengesave që i ka bërë kësaj reforme opozita dhe vijon t’i bëjë, reforma dhe vetingu po e kryen gradualisht punë, edhe pse jo me tempin dhe ritmin që duam ne ajo po ecën mirë dhe në ato shina në të cilat është vendosur nga ana e ndërkombëtarëve. Pra, unë jam optimist, pasi reforma në drejtësi pasi të mbarojë punë me sistemin gjyqësor, i cili ka dalë më zi nga çfarë e mendonim ne, do të fillojë me politikën dhe ata zyrtarë që i kanë bërë 1 mijë e shumë të zeza vendit. Ndryshe reforma në drejtësi po nuk u morr edhe me politikën është e dështuar. Kjo për faktin se politika e polli atë drejtësi të korruptuar dhe drejtësia u kthye në mashë e politikës dhe politikanëve. Ka ardhur koha që reforma në drejtësi të nxjerrë të palarat e politikanëve.

-Sali Berisha dhe eksponentë të lartë të opozitës kanë bërë thirrje për revolta, në mënyrë që të rrëzojnë nga pushteti Edi Ramën. Si i shihni këto thirrje dhe përse Berisha nuk shkëputet dot nga thirrjet e tij për dhunë?

Shqiptarët pas vitit të mbrapsht 98 nuk organizojnë më revolta për të rrëzuar një pushtet. Edhe asokohe revoltat kanë pasur si udhëheqës dhe janë ngjizur vetëm nga Sali Berisha. Kështu që thirrjet e sotme të Sali Berishës apo kushdo tjetër që të nisin revolta dhe mosbindje civile, në mënyrë që të rrëzojnë pushtetin e Edi Ramës, janë thirrje histerike dhe dëshpëruese. Madje, këto thirrje vijnë në një kohë kur sistemi i drejtësisë po hyn në shinat e tij. Kështu që eksponentë si Berisha po e shohin që po u ngushtohet laku, andaj dhe bëjnë thirrje për revolta. Por di të them që të gjithë këta, me në krye Berishën i gënjen mëndje se pushteti i ardhur me vota dhe në mënyrë demokratike do të rrëzohet me revolta, ashtu sikundër pretendojnë ata. Ka ikur koha kur një pushtet mund të rrëzohet me dhunë, askush nuk e ka më takatin që të bëjë diçka të tillë. Por le të kthehem në brendi të pyetjes tuaj. Partia Demokratike e udhëhequr nga Sali Berisha vrau 4 njerëz të pafajshëm në bulevard në 21 janar, sepse këtë e di vetëm Berisha. Dhe a e dini pse?! Për t’i futur frikën Partisë Socialiste. Kështu që thirrjet e sotme nga opozita në kushtet kur opozita është e shpartalluar vijnë nga frika që ka kapluar eksponentët e saj. Por ora e së vërtetës po vjen dhe Berisha, madje kushdo tjetër që ka bërë pisllëqe në kurriz të qytetarëve shqiptarë do të japë llogari dhe do të përgjigjet. Kështu që na duhet të presim.