Tiranë-Durrës, Balluku: Në shtator hapet tenderi, tarifa pas rikonstruksionit të rrugës Tiranë-Plepa dhe zgjerimit të autostradës

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka bërë të ditur detaje sa i takon projektit për bërjen me pagesë të autostradës Tiranë-Durrës. Në një prononcim për mediat, ministrja Balluku siguroi se në shtator do të bëhet hapja e procedurave për projektin dhe jo vendosja e tarifës.

“Mendojmë që në vjeshtën e këtij viti projekti të shpallet për garë, të kemi një garë transparente midis investitorëve për të qenë fituesi i radhës ai që do përzgjidhet nga gara transparente dhe më pas të fillojnë punimet. Pra jo që në shtator të këtij viti do fillojë kalimi me pagesë në rrugën Tiranë-Durrës”, u shpreh Balluku.

Ministrja theksoi se vendosja e tarifës në autostradën Tiranë-Durrës do të bëhet vetëm pasi firma fituese e projektit, që do të zgjidhet përmes një procesi transparent, të këtë përfunduar rikonstruksionin e plotë të rrugës Tiranë-Plepa, e cila do të funksionojë si një rrugë alternativë pa pagesë si dhe pasi të përfundojë projekti që parashikon zgjerimin dhe përmirësimin e të gjitha parametrave të autostradës Tiranë-Durrës.

“Kushdo që do të jetë fituesi i këtij projekti detyra e parë që do të ketë si investitor është rehabilitimi, zgjerimi dhe përmirësimi i kushteve të rrugës, të alternativës pa pagesë, që është rruga Tiranë-Plepa. Pra duhet kuptuar që më parë do t’i vihet në dispozicion drejtuesve të automjeteve përmes këtij projekti. Shqipëria do të përfitojë edhe një rrugë të dytë me parametra të rrugës nacionale. Pra jo thjesht një rrugë siç është sot, por një rrugë e zgjeruar dhe e përmirësuar, pra fillimisht do të bëhet nga i njëjti investitor, me kostot e tij, të këtij projekti, do të përmirësohet, zgjerohet dhe do të sillen në parametra europianë rruga Tiranë-Plepa”, tha Balluku.

Ministrja bëri të ditur gjithashtu se tarifat që do të vendoset do të jetë e përshkallëzuar në varësi të gjatësisë së rrugës që automjetet do të përshkruajnë.

“Gjëja që ne kemi kërkuar dhe janë dy elementë shumë të rëndësishëm të projektit që unë dua ti theksoj dhe do të vlerësoja shumë nëse ju do ta sqaronit publikun për këto janë dy pika. E para, të ketë një pagesë të përshkallëzuar, pra jo çdo dalje të paguhet me një tarifë fletë. Nuk ka rëndësi nëse është telepas apo është pagesë, por është në varësi të gjatësisë së rrugës që do të përshkruajë çdo automjet. Kjo është e para, pra është një tjetër pagesë kur del në Rinas, një tjetër pagesë le të themi kur shkon në zonat periferike të Durrësit apo kur ti del në port”, sqaroi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë siguroi gjithashtu se për të gjitha akset të cilët do të jenë me pagesë në të ardhmen, do të bëhen vetëm pasi të kenë një rrugë tjetër alternative që do të funksionojë pa pagesë për të qenë e aksesueshme nga drejtuesit e makinave.