Nga Altin Ketro

Kryetarja e LSI-së, zonja Monika Kryemadhi, në turin e saj në bazë për t’i mbajtur të karikuar mbështetësit e vet, po thotë gjithë e më shpesh se strukturat e saj të partisë duhet të përgatiten e të jenë gati se, sipas saj, në muajin maj do ketë zgjedhje të parakohshme. Që në 6-mujorin e parë të këtij viti do të ketë zgjedhje, kjo nuk diskutohet. Por ato do të jenë vendore e jo parlamentare.

Megjithatë këmbëngulja e zonjës Kryemadhi për ta theksuar këtë çështjen e zgjedhjeve të majit e shoh nga një tjetër këndvështrim. Bile i jap të drejtë në strategjinë që ka zgjedhur.

Aktualisht jemi në kushtet kur LSI-ja, ashtu si PD-ja, ka dorëzuar mandatet e deputetëve të saj. Jo sepse donte, por iu bind qëndrimit publik që kish marrë njëanshmërisht Lulzim Basha dhe nuk donte të dilte si përçarëse e opozitës.

Vetëm se duhet të kujtojmë se LSI është një parti familjare, e krijuar në vitin 2004 prej egos së Ilir Metës për të qenë në pushtet, e si e tillë ky hap ekstrem që kjo parti hodhi ka një normë të lart interesi kundrejt PD-së.

Deri përpara dorëzimit të mandateve, kishim liderin demokrat Basha që, si të thuash, e kishte në dorë spektrin opozitar, përfshi këtu edhe LSI-në. Situata pas dorëzimit të mandateve, e kthen Lulzim Bashën të brishtë përpara aleatëve opozitarë, sidomos përpara LSI-së.

Më se njëherë zonja Kryemadhi ka theksuar se ato mandate janë “mandate gjaku”, që do të thotë se janë marrë me sakrificë shumë të madhe, edhe financiare.

Ky solidarizim me PD-në dhe Lulzim Bashën, ka një kosto të madhe që ai duhet t’ia njohë e t’ia rikthejë mbrapsht kur të vijë momenti. LSI-ja, e veçanërisht kryetarja e saj Kryemadhi, janë shumë të vështirë për sa i përket larjes së borxheve. Për sa kohë nuk njohin parime, interesi merr rol primar në të gjithë dimensionet e tij.

Mbase do na duhen disa vite të lexojmë “Kurban 2”, për të marrë vesh picirin që hoqi kryeministri Rama teksa i duhej të negocionte personalisht të mërkurave me ish-Kryetarin e Kuvendit, e pastaj tek Vila 31 mes delegacioneve PS-LSI, dakordësinë për miratimin e ligjeve me kushtin që, e para duhet të lëshonte pe për tekat e së dytës. Mos harrojmë se atë periudhë PS-ja s’e kishte dot e vetme mazhorancës dhe si të thuash ishte në dorë të orekseve politike të LSI-së. Urinë e saj për t’i shtrirë tentakulat kudo vetëm Edi Rama mund t’i bënte ballë. Se me Berishën e kishin më të lehtë. E kishin ndarë pushtetin 80 me 20 për qind, dhe secili bënte ç’t’i donte qejfi brenda kufijve të territorit të vetë. Njëzet për qind pushtet veç për 4 mandate, se po të kishte 19 mandate siç pati më pas, përqindja do ishte edhe më e thellë.

Në rastin e Lulzim Bashës kemi të bëjmë me një individ të dobët politikisht, ndonëse në TV hiqet si luan. Përballë zonjës Kryemadhi ai sot është më i pafuqishëm se kurrë. Ka një detyrim kaq të madh ndaj saj, saqë po presim momentin ku ai të futet në zgjedhje e të nisë negociatat brenda koalicionit për ndarjen e territoreve.

Sakrifica e LSI-së do ketë ndikimin e saj në oreksin e shtuar tashmë për të kërkuar më shumë zona të lira kandidimi për kryetarë bashkie. Kryedemokrati Basha e ka marrë disi lehtë situatën dhe po i beson aksioneve guerile me prita ndaj kryeministrit Rama apo protesta të dhunshme nga institucioneve. Duket si një indiferencë ndaj zgjedhjeve vendore, duke shpresuar në provokimin e atyre parlamentare.

Nga ana saj, zonja Kryemadhi po ndjek një strategji tjetër. Ajo po frymëzon të vetët për zgjedhje të parakohshme në maj, për t’i pasur gati, në fakt, për zgjedhjet vendore në qershor. Ajo s’mund të dalë hapur në këto momente e të thotë që do hyjë në zgjedhjet vendore. Por ajo indirekt po i thotë strukturave dhe elektoratit të saj (atij që i ka mbetur) që të bëhen gati se LSI-ja do futet me doemos në zgjedhje.

Një parti e krijuar enkas dhe specifikisht për të qenë në pushtet në çfarëdolloj niveli, nuk mund të kuptohet që të mbetet rrugëve si prostitutë trotuari. Si e tillë, ajo do hyjë në zgjedhjet vendore, pavarësisht çfarëdolloj akti kamikaz të ndërmarrë Basha për partinë e tij.

Nëse për dorëzimin e mandateve LSI u solidarizua me Bashën, bojkoti i zgjedhjeve vendore as nuk çohet nëpër mend prej saj. Ndonëse deri në minutën e fundit do kemi edhe deklarata disi kërcënuese për bojkot, në fundore LSI-ja do të marrë pjesë në to.

Nëse Basha nuk e ka kuptuar këtë, ka rast ta fusë në agjendë për të marrë masa. Jo për të bindur LSI-së, se ajo nuk bindet në këtë rast, por për të organizuar partinë e tij që të jetë gati. Vetëm se përpara tashmë ka një mision shumë herë më të vështirë: Negociatat brenda kampit opozitar. Negociata që atë do e nxjerrin të humbur në çdo rrethanë.

Nëse përpara dorëzimit të mandateve LSI-ja do të ishte më modeste në kërkesa për zona të rëndësishme influence, në kushtet e sotme, ajo ka gjithë të drejtën e zotit të pretendojë më shumë.

Në rast se PD-ja futet në zgjedhje, do i duhet të lëshojë shumë bashki kryesore për LSI-në në këmbim të solidaritetit që mori prej saj për dorëzimin e mandateve. Lulzim Basha e di që ato bashki do i ketë të humbura gjithsesi, por e ka të vështirë t’i thotë JO LSI-së që iu gjend e gatshme në kohë të vështira.

Në rast se PD-ja nuk futet në zgjedhje, atë e nxjerr përfundimisht jashtë nga sistemi politik, por faktorizon LSI-në që do përpiqet të zërë territoret e saj, pavarësisht urrejtjes që ka për të elektorati demokrat.

E në rast se PD-ja nga frika e defaktorizimit politik vendos të futet në zgjedhje por jo në koalicion me LSI-në pasi nën presionin e fortë të bazës së PD-së kundrejt Lulzim Bashës, ai nuk bie dakord me zonjën Kryemadhi për ndarjen e territoreve sipas orekseve të saj, kjo do interpretohej prej LSI-së si tradhti dhe besëprerje gjë që do e kthente LSI-në më pas në një kamikaze kundrejt PD-së.

Si përfundim, në tërësinë e vet, Lulzim Basha është futur në një rreth vicioz nga ku e ka shumë të vështirë që të dalë. Të keqen ai po e kërkon tek Rama, pa e ditur që e ka brenda, tek vetvetja, që i merr vendimet kuturu, herë nën panik e herë nën eufori, pa pasur rrugëdalje për çdo të papritur që do ndeshet. Mbase e di xhanëm, por po mban një Shqipëri nën tension politik e një parti si peng, prej këtij ankthi që ka. Sinqerisht, nuk ia kemi për borxh!