A do t’i marrë SPAK-u në shqyrtim rrëfimet e Dritan Priftit për pazaret e Ilir Metës dhe fati i videos me Fahri Balliun që kërkonte tendera dhe koncesione Rrëfimet e Dritan Priftit janë indiciet më të rëndësishme për SPAK-un për të shkuar drejt provave, të cilat konfirmojë një pjesë të aferave të Ilir Metës pasuritë publike. Në një rrëfim të rrallë Dritan Prifti ka deklaruar se Ilir Meta i kërkonte në çdo takim favore për tendera dhe koncesione në cilësinë e ministrit të Ekonomisë.

Skema ishte e thjeshtë. Meta i kërkon Priftit të firmoste koncesione për persona të caktuar që kishin hyrë në pazar me Metën. Ky i fundit për çdo tender apo koncesion merrte mesatarisht 700 mijë USD. Aq i fokusuar ishte Meta tek pazaret saqë një herë, kur Prifti ishte sëmur, i ka shkuar në shtëpi dhe i ka hequr jorganin për të firmosur koncesionet dhe tenderat. Prifti ka rrëfyer se kjo situatë i ishte bërë shumë stresante, ndaj kishte vendosur që ta përgjonte Metën.

Ndër të tjera Prifti ka rrëfyer:“Nga shkurti 2010 deri në fund të punës sime në Ministri nuk mbaj mend ndonjë takim ku Meta të mos më ketë kërkuar  favore për tenderë, koncesione etj. Pra u kthye në një marrëdhënie kërkesash.Në një rast, që Meta donte të ndërhyja në një ankand, kam qenë  i sëmurë dhe zoti Meta ka ardhur në shtëpi, më ka hequr jorganin. U bë shumë stresante.

Në këto kushte vendosa që unë të kem një provë. Prandaj u bë regjistrimi. Pas një telefonate që më bëri, ku më tha se “do vij në zyrë të të takoj”, vendosa ta regjistroj për ta pasur si provë të takimeve të mia, që të dëshmonte marrëdhëniet e mia me të. Për ankandin e naftës petroliun, z. Meta më kujtoi atë që kishim biseduar në lidhje me ankandin e naftës për mikun e tij, B.Halilaj.

Halilaj nuk ishte i sigurt për fitoren dhe kërkonte shtyrjen. Unë i thashë që do ta bëj. Ai më tha: “Mbaroje, pse nuk e bën?”. Për koncesionin duhet të fitonte një bashkim kompanish “Vëllezërit Tola”. Meta më tha “mbaroje shpejt”. Unë e dija që ishte në Gjykatën e Apelit. Meta më tha: “Ka mbaruar gjyqi, por mbaroje”. Mori në telefon Agim Rrapajn dhe nëpërmjet telefonit të tij (Metës) fola me të. Ai më tha që kishte mbaruar procesi. I thashë të më sillte vendimin e gjykatës, pastaj do ta rimblidhja unë komisionin. Në një moment Meta tha që “ky Gimi ka për ty 7 për qind”. Me tha dhe që janë 700 mijë euro që jepen për këtë gjë.

Këto ndërhyrje ishin të kundërligjshme, pasi aty kishte dhe përfitim për mua. Nuk di që për një ministër të jepet një 7 përqindësh në rast përmbushjeje detyrimi”. Dritan Prifti thotë se një person i ka ofruar 1 milionë USD për t’i ndarë me Ilir Metën. “Unë Agim Rrapajn e kam takuar me një person tjetër, me Fatmir Merkajn, i cili është mik i Metës. I kam takuar disa herë së bashku. Takime për punë të ndryshme. Zoti Rrapaj pretendonte se kishte lidhje me qeverinë japoneze dhe se mund të përfitonte fonde, grante etj.

Nuk di që Rrapaj kishte interes tek “Vëllezërit Tola”, por dija që Merkaj kishte 20 për qind në këto koncesione. Dija dhe që djali i Rrapajt punonte si drejtues apo si administrator aty. Për ankandin e naftës në zyrën time nuk ka pasur ofertë. Por kjo bisedë është bërë dhjetëra herë. Më janë ofruar një milion dollarë për t’i ndarë mes meje dhe Metës. Biseda është bërë njëherë në Ministrinë e Jashtme, njëherë në një drekë te Rogner-i.

Pas regjistrimit të videos kam shkuar t’ia çoj kryeministrit Berisha. I thashë çfarë kishte brenda. Berisha nuk e pranoi këtë video. Sigurisht që ai duhet të ketë diskutuar me Metën. Pasi unë e pashë reagimin e Metës pas kësaj dite dhe pata idenë se ai e kishte marrë vesh. Duke pasur parasysh lidhjet e Metës, e kam diskutuar edhe me familjen dhe për shkak të sigurisë sime dhe të familjes sime vendosa ta publikoja në një kohë tjetër”. Prifti ka folur edhe për një video me Fahri Balliun, i cili shfaqet duke i kërkuar pazare. “Në gjyqin e Metës, prokurori i çështjes ka nxjerr një fakt, ka folur për ekzistencën e një video tjetër. Ai paralajmëroi ekspertët që të kishin kujdes dhe të mos e publikonin. Në fakt janë më shumë se tre video.

Nuk kisha bërë asnjë plan të flisja për këtë. Por, në zyrën time erdhi Fahri Balliu me porosinë e Metës. Është një video e tretë, aty shfaqet botuesi i ‘Gazeta 55’, Fahri Balliu që më kërkon favor. Balliu ka ardhur shumë herë në zyrën time, unë e njoh prej vitesh, ai është një mik i z Meta, hallexhi z Balliu.  Të gjithë që vinin në zyrën time, vinin për ndonjë hall. Por kjo video është një sekret hetimi, dhe unë nuk flas dot më gjatë pasi Prokuroria e ka shpallur me vendim të veçantë sekret hetimi, por theksoj se ndodhia aty është interesante. Balliu ofroi diçka dhe kërkoi diçka. Tani për çfarë ishte i interesuar, ai interesohej për gjithë sektorët. Mund të them se kishte disa probleme ligjore për të zgjidhur hallin Balliu, unë nuk ja zgjidha, ja zgjidhi më pas Meta”.