Dinamo e Zagrebit ka fituar edhe këtë sezon titullin kampion në Kroaci.

Pjesë e gjigandëve kroat, është edhe mbrojtësi shqiptar që aktivizohet me Kosovës, Amir Rrahmani i cili në një prononcim për ‘Supersport’, u shpreh se do të ishte një Kombëtare e frikshme nëse Kosova dhe Shqipëria do të kishin një ekip të vetëm.

“Është mirë të jesh kampion. Kemi dy vite që po fitojmë kampionatin dhe kemi fituar edhe Kupën e synojmë ta marrim edhe këtë sezon. Besoj se jemi ekip shumë më i fortë se në të kaluarën pasi kemi përforcime dhe tani shohim nga Kupa dhe Europa. Mendoj se ky është sezoni im më i mirë personalisht”, tha fillimisht ai.

Shqipëria apo Kosova? “Është luftë për pozicione. Nëse do të ishim një Kombëtare, do të ishim të frikshëm për çdo kundërshtar.

Gjithashtu, ai ka folur edhe për të ardhmen e tij duke treguar se dëshirë ka që të transferohet në Gjermani, ndërkohë që ka uruar edhe Partizanin, duke thënë se titullin kampion që pritej prej kohësh, e ka merituar këtë sezon.

“Nëse klubi është i gatshëm të më shesë, besoj se Gjermania është destinacioni më i mirë për mua”, tha ai.

Partizani? Do të doja që të isha edhe unë aty pasi jam gëzuar për këtë titull se e ka pritur gjatë dhe ia uroj pasi e ka merituar Partizani”, përfundoi Rrahmani.