Bordi i Autoritetit të Mediave Audiovizive i ka tërhequr vëmendjen televizionit Ora News për shkak të shkeljeve të normave ligjore dhe etike nga ana e moderatores Roza Lati në emisionin “Why Not”. AMA shkruan në njoftimin zyrtar se ky vendim është marrë për puntatën e datës 07/04/2018 , ku Roza sëbashku me të ftuarën Gordana Kingji (Baby G) drodhi cigare në studio përpara kamerave, si dhe përdori fjalor vulgar gjatë bashkëbisedimit. Sipas AMA-s, fjalori i përdorur dhe përgatitja e cigareve në studio promovon si dhe nxit fëmijët për përdorimin e duhanit dhe të produkteve të tjera të tij, të cilat janë të dëmshme për shëndetin e tyre.

Njoftimi i plotë i AMA-s:

Bordi vendos tërheqjen e vëmendjes për Televizionin Ora News, pasi në Emisionin “Why not”, të datës 07.04.2019, ora 19.00, rezulton në shkelje të normave ligjore dhe etike.

Bordi vëren se fjalori i përdorur gjatë bashkëbisedimit dhe përgatitja e cigareve në studio, para kamerave, promovon përdorimin e duhanit dhe produkteve të tjera të tij, si dhe nxit fëmijët për përdorimin e këtyre produkteve të dëmshme jo vetëm për shëndetin e fëmijëve. Kjo jo vetëm që dëmton dhe cënon fëmijët por gjithashtu bie ndesh me ligjin organik dhe Kodin e Transmetimit, i cili detyron OSHMA-të të vendosin shenja paralajmëruese.

Në vendimin e Bordit të Autoritetit të Mediave Audiovizive shkruhet gjithashtu se televizioni Ora News është gjobitur me vlerën 400 mijë lekë, pasi në emisionin “Ju flet Moska”, ka nxitur intolerancën nëpërmjet shtetasve.