Nëse të duhet të vizitosh të 61 bashkitë e vendit, menjëherë arrin të kuptosh ndryshimin mes së kaluarës dhe investimeve që i kanë ndryshuar pamjen qyteteve, por edhe biznesi njeh një tjetër zhvillim.

Për ministrin e Turizmit, Blendi Klosi, mjaftuan vetëm disa investime dhe projekte me vizion që u implementuan përmes “Rilindjes Urbane”, për të ndryshuar impaktin te qytetarët.

Përpara përfaqësuesve të bankave, gjatë një takimi të zhvilluar në Lezhë lidhur me programin e “100 fshatrave”, Klosi kërkoi mbështetjen e tyre për të investuar në zhvillimin e turizmit. Nga ana institucionale, ai siguroi përfaqësuesit bankarë që qeveria do të japë mbështetje të madhe lidhur me projektet.

“Ajo që duam të sigurojmë është që ky projekt do të ketë mbështetje shumë të madhe qeveritare dhe ‘100 fshatrat’ do të jenë modele të suksesshme biznesi. Dhe koha ka treguar se përsa i përket hoteleve që kërkojnë të arrijnë nivelin e 4 apo 5 yjeve, janë kthyer në modele suksesi. Modeli i Fishtës, i “Mrizit të Zanave”, tregon se këta djem kanë bërë pa nevojën e ndihmës së bankave. ‘100 fshatrat’ nuk do të jenë vetëm agro-turizëm, por ne do të përpiqemi që në kuadër të reformës territoriale të jenë pjesë e 61 bashkive, nga pikëpamja mjedisore, ne mund të kemi pole të vërteta zhvillimi, nëpërmjet 100 fshatrave. Kështu, të gjithë komponentët që përbëjnë një fshat, duhet t’i shohim nga pikëpamja administrative dhe financiare”, – shpjegoi Klosi.

Ndërsa kërkoi mbështetjen e përfaqësueseve të bankave, ai siguroi suksesin që do të kenë këto investime në agro-turizëm, pasi kohët e fundit është rritur edhe numri i turistëve që kanë vizituar Shqipërinë, krahasuar me një vit më parë.

Shumë pak investime në agro-turizëm kanë dështuar. Shumica prej investimeve në këtë fushë janë histori suksesi. Ajo që do të doja të garantoja është rritja e numrit të turistëve në vendin tonë, çka sipas ministrit premton edhe më shumë.

“Në 6-mujorin e parë të këtij viti ne kemi një rritje 10% më shumë, krahasuar me një vit më parë. Ne parashikojmë që do ta kalojmë këtë përqindje dhe padyshim që do të sjellin më shumë të ardhura. Kjo që po bëjmë është një bisedë 100% ekonomi”, – përfundoi Klosi.