Universiteti i Sporteve të Tiranës po zhvillon mësim gjatë gjithë fundjavës, edhe të shtunën e të dielën, duke filluar nga data 7 janar.

Zv/Rektori i këtij Universiteti, Robert Çitozi, tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, “ky vendim është marrë bashkë me studentët”. Ai tha se, “ky Universitet do ta mbarojë programin mësimor në kohë”.

“Në fillim të janarit, pjesëmarrja e studentëve në mësim filloi të ketë një rritje graduale dhe sot jemi si në një ditë të zakonshme, jemi në nivelin 70% të pjesëmarrjes së studentëve në auditorë”, tha ai.

“Ju e patë vetë që në çdo auditor po zhvillohej mësim. Ne, si staf pedagogjik kemi qenë çdo ditë në punë, për të zhvilluar mësim edhe gjatë fundjavës, ne kemi marrë edhe konsensusin e studentëve”, shtoi zv/Rektori.

Ndërkohë, Agjencia Telegrafike Shqiptare pyeti disa studentë të këtij Universiteti se çfarë mendojnë për “Paktin për Universitetin”. Një studente tha se “ne nuk duam të humbasim vitin shkollor, por jemi edhe pro protestës”. “Po zhvillojmë mësim edhe të shtunën e të dielën për të zëvendësuar ditët që humbëm gjatë bojkotit”.

Një tjetër studente e vitit të dytë tha se ishte pro protestës së studentëve, por nuk kishte marrë pjesë në protestë dhe kishte ndjekur mësimin rregullisht.

“Unë nuk isha dakord që protesta të zgjatej kaq shumë, ne tani po i zëvendësojmë orët e mësimit duke bërë mësim të shtunave dhe të dielave”.