Nga Mero Baze

Lulzim Basha ka hyrë në politikë kur ka dalë Pjetër Arbnori. Nuk ka faj që nuk e njeh. Dhe ky është një lloj fati për Pjetrin, më shumë se sa për Bashën. I ndjeri ka pas plot drama në jetën e tij, dhe nuk kishte pse ta ngarkonte veten në pleqëri dhe me njohjen e Lulzimit. Më së paku, i ka shpëtuar përdorimit nga një tip si ky sa ishte gjallë.

Por nuk i shpëtoi dot pas vdekjes.

Në ceremoninë e organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë me rastin e vendosjes së bustit të Pjetër Arbnorit në lulishten e Parlamentit, protokolli i Kuvendit i kishte çuar PD-së gjithë listën e deputetëve të saj nga viti 1991, që kanë qenë bashkë me Arbnorin në Kuvend.

Lulzim Basha u ka kthyer përgjigje se nuk ka “data baze” të tyre dhe i ka kthyer ftesat mbrapsht.

Ky gjest tregon shumë se çfarë është për Lulzim Bashën, PD, Pjetër Arbnori dhe historia e përbashkët e Arbnorit me PD-në.

I armiqësuar me PD-në historike, rrënjët e së cilës i preu një vit më parë, pas një pazari me Edi Ramën, Lulzim Basha tashmë kujdeset të mos i shfaqet asnjë nga të gjallët e vjetër të PD-së, përveçse atyre që janë të vdekur dhe nuk i prishin punë.

Dhe për këtë, ka dashur të fusë hundët edhe tek ceremonia e përurimit të bustit. I ka kërkuar Kuvendit që në emër të PD-së të flasë Romeo Gurakuqi, një nga OMGJ e reja të Bashës, por jo i PD-së së kohës Arbnorit, për të mos thënë ndonjë gjë më të keqe.

Por këmbëngulja e familjes ka bërë që në ceremoni të fliste Besnik Mustafaj, një ish- deputet dhe politikan që së paku e ka njohur Arbnorin në vitin 1990.

Nga ana tjetër, Lulzim Basha, i cili komandon këshilltarët bashkiakë të PD-së në qytetin e Tiranës, i urdhëroi ata të votonin kundër lejes për ngritjen e bustit të Pjetër Arbnorit në lulishten e Parlamentit. Bile ishin aq të vendosur, sa braktisën dhe mbledhjen. Për ironi të fatit, Pjetër Arbnori është vendosur aty me leje të këshilltarëve të majtë, trashëgimia politike e të cilëve i ka kushtuar 28 vjet burg.

E gjithë kjo panoramë tregon qartë se çfarë i ka bërë Lulzim Basha PD-së, dhe si mendon ai, se mund të përdorë të ikurit e saj në botën tjetër, për betejat e tij me të gjallët e PD-së që nuk e duan.

Pjetër Arbnori ishte nga figurat e rralla politike në Shqipëri, që pas një kalvari të gjatë vuajtesh dhe një lulëzimi në liri si politikan, ka shfaqur dimensione të forta tolerance dhe integritet të fortë, edhe përballë problemeve brenda në PD. Ai ishte një “antipart” i Sali Berishës brenda PD-së, një njeri që përfaqësonte historinë e persekucionit komunist në Shqipëri dhe tolerancën dhe etjen për demokraci e pluralizëm.

Dhe fuqia e tij më e madhe ishte toleranca dhe ndaj kundërshtarëve brenda partisë. Dhe kam një episod të dhimbshëm për këtë.

Në vitin 2002 ai shfaqi ambicjen për të qenë kandidat për president. Më kërkoi dhe ja bëmë me qejf si redaksi një intervistë të jetës së tij në disa numra në gazetën TemA, nën titullin “Unë për president”. Berisha u tërbua nga ky promovim dhe përpiqej të jepte sinjale kundër asaj që kërkonte Arbnori. Më në fund, kur erdhi dita për të zgjedhur, Berisha përzgjodhi kandidaturën e Artur Kukos, një djalë i ri rreth të 40-ave në atë kohë. Arbnori më takoi i shqetësuar dhe kërkoi të dijë mendimin e Berishës.

-Më tha që duhet të shmangim kandidatët e vjetër mbi 70 vjeç, i thashë unë, siç ma tha Berisha.

Disa vite më vonë, në fund të vitit 2004, ai më ftoi për ditëlindje në Tiranë, diku në fund të dhjetorit.

Pasi mbaroi ditëlindjen tek “Guva e qetë”, më tha se do të dëshironte të shkoja dhe në Shkodër, se do ta festonte dhe atje me motrën.

Kur pa hezitimin tim, tha me atë ironinë e hollë të tij.

-Dua të më vish, se jemi miq, dhe e kam për herë të parë që mbush 70 vjet. Se Doktori ma ka festuar para dy vjetësh 70- vjetorin…

Deri këtu shkonte ironia e tij për kundërshtarin. Asgjë më shumë. Dhe Doktori disa muaj më pas, ja ktheu “ironinë”, i ndërroi zonën si Lulzimi kundërshtarëve dhe e nxorri në pension.

Partia e Arbnorit ka rënë tashmë në dorë të dikujt, që përjashton nga ceremonia e Arbnorit dhe miqtë e Arbnorit, vetëm pse janë armiq të tij. Ka kthyer 100 e ca ftesa mbrapsht, vetëm se shumica prej tyre kanë dalë kundër Bashës një vit më parë dhe ka tentuar të zëvendësojë dhe mbajtësin e fjalimit, duke e zëvendësuar me produktet fallco të tij nga Shkodra.

Sikur Pjetër Arbnori të ishte gjallë sot, do të ishte ndjerë prej Lulzim Bashës, po aq i izoluar dhe persekutuar, njësoj si nga komunistët e para viteve ‘90, që nuk linin miqtë e shokët e tij, ta takonin pasi doli nga burgu. Dhe ky është i vetmi ndëshkim që ke mundësi ti bësh atij në liri, ta trajtosh si njeri që duhet izoluar edhe i vdekur, nga ata që ti ke kundërshtarë dhe armiq. Siç bënte Muho Asllani në vitin 1989.J.J