Sistemi bankar e mbylli tremujorin e parë të vitit me një fitim prej 5 miliardë lekësh. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, sistemi i ka rritur fitimet lehtë me 4% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Megjithëse të ardhurat nga interesi që janë edhe burimi kryesor i aktivitetit bankar në vend pësuan një rënie të lehtë, ky efekt u kompensua nga rezultati më i mirë në të ardhurat e tjera, si edhe nga ulja e provigjioneve.

Të ardhurat neto nga interesat për tremujorin e parë ishin 10.3 miliardë lekë, në rënie me 6% krahasuar me një vit më parë. Por, ndërkohë të ardhurat jo nga interesat sollën 3.1 miliardë lekë për bankat, ndërkohë që një vit më parë rezultati në këtë zë kishte qenë negativ. Të ardhurat jo nga interesat përfshijnë tarifat dhe komisionet, si edhe fitimet nga aktiviteti i këmbimit valutor. Pikërisht të ardhurat nga këmbimi valutor ishin edhe elementi përcaktues në përmbysjen e rezultatit të të ardhurave të tjera për tremujorin e parë të vitit.

Ndërkohë, një ndikim edhe më të rëndësishëm ka dhënë balanca pozitive në zërin e provigjioneve. Një vit më parë, sistemi bankar kishte shpenzuar 3.2 miliardë lekë për provigjione, ndërsa këtë vit ky zë ka qenë me të ardhura pozitive në vlerën e 550 milionë lekëve. Bankat kanë rimarrë para nga provigjionet e mëparshme për kreditë me probleme, çka nënkupton një përmirësim organik të cilësisë së portofolit. Megjithatë, vitin e kaluar shpenzimet për provigjione ishin rënduar kryesisht në segmentin e instrumenteve financiarë, më shumë se në atë të kredive. Hyrja në fuqi e një standardi të ri të raportimit të financiar solli rritjen e provigjioneve për këto instrumente. Këtë vit, ky efekt ka qenë i papërfillshëm, duke ulur shpenzimet e bankave dhe duke ndikuar në një rezultat neto më të lartë.

Sidoqoftë, duhet kujtuar se të dhënat e raportuara në nivel sistemi nga Banka e Shqipërisë mbështeten në standardet e raportimit për efekt të mbikëqyrjes. Ligjërisht, bankat i mbajnë bilancet mbështetur në standardet ndërkombëtare të raportimit financiar. Shpeshherë, të dhënat e publikuara individualisht nga bankat kanë diferenca të theksuara krahasuar me shifrat e Bankës Qendrore. Kjo ndodh sidomos sepse provigjionimi i kredive në standardin ligjor të raportimit financiar bëhet mbi parime të ndryshme nga ato që Banka e Shqipërisë përdor për efekt të mbikëqyrjes bankare.