Nga Andrea Danglli

“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!” dhe “Liri demokraci!” janë dy thirrje lapidareske të cilat sot duhet t’i përkisnin historisë dhe të zgjonin veç ndonjë nostalgji nga e shkuara. Dalë nga kocka ëndrrash të viteve ’90 dhe ushqyer me shpresën e një Shqipërie perëndimore, duket fyese që ato t’i quash thjesht tog-fjale, vogëlsi t’i emërtosh veç si thirrje apo e pakuptimtë t’i konsiderosh si slogane populiste. Pasha që kanë mbartur është tepër e madhe ndaj të eksperimentosh sërish me to është sa e vështirë po aq edhe qesharake.

Rikthimi i tyre pas çerek shekulli në korrin e protestuesve para institucioneve kryesore në Tiranë, nën gjykimin tim ishte lajmi kryesor që doli nga zhvillimet e fundit. Mbase mund të duket e habitshme për ty që po më lexon, por ky detaj godiste më tepër se të gjitha kapsollat, fishekzjarret apo bombat molotov të hedhura së bashku. Klithja e ngjashme që ushtonte sërish në të katërta anët, mjaftonte për të kuptuar bilancin e një fature dështimi që ka prodhuar klasa politike, mediatike, shoqërore, pse jo edhe ndërkombëtare. Ngjan disi naive për t’u marrë me këtë, por dikush duhet të mbajë përgjegjësi që ëndrra, tashmë e rrudhur “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!” , u shndërrua në një makth që në vend të shpresës prodhon veç frikë. Koha s’ka lëvizur.

A nuk është pak e çuditshme që një popull adreson po të njëjtat kërkesa prej afro tre dekadash dhe si përgjigje merr veç zhgënjim?! Kush janë përgjegjësit që Shqipëria u kthye pas, apo thënë më saktë çdo hap përpara e shoqëroi me dy mbrapa? Përgjigje të thjeshta që i gjeni në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. As nuk na ka mallkuar njeri, as na kanë bërë magji dhe as na ka ndëshkuar zoti. Përgjegjësit i keni aty, majtas, djathtas, lart, poshtë, në Kryeministri, pas Kryeministrisë, para Kryeministrisë, mes turmës, në krye të turmës, nën podium, mbi podium, me karrige, pa karrige, me ju, kundër jush, etj. Janë pikërisht këta përdhunues idealesh të lindur dhe stërvitur, që vijojnë të premtojnë se do të mbrojnë “virgjërinë” e shqiptarëve.

Askush s’duhet të ketë frikë të thotë se kjo Shqipëri ka fytyrën e Berishës, Metës, Nanos, Ramës, Bashës, Mediut, Ruçit, Pollos, Kryemadhit dhe të tjerë degëzime klanesh politike, oligarkike dhe mediatike që vijnë pas tyre. Kush më pak dhe kush më shumë, por këta janë skenaristët e dramës shqiptare që nis, vazhdon dhe mbaron me të njëjtat thirrje prej 29 vitesh. Qoftë militanti më i thekur, duhet të dijë se thirrjet lapitareske të orëve të para të demek-demokracisë, po përsëriten vazhdimisht pasi janë mbajtur të varura nga kollaret të këtyre kufomave politike. Ata jo vetëm që s’i shërbyen kurrë vendit të tyre, por ditën tregtojnë patriotizëm artificial dhe natën s’kursejnë as astarin e shpuar të shqiptarit të thjeshtë.

Jemi regjur nga premtime përrallore, analiza ekonomike me lugë floriri, deklarata se renditemi pas Gjermanisë, intriga në bodrumet politike të Tiranës, kalime ylberesh partiakë, koncensione pa data dhe pikë, pushtet pa frerë, ligjvënës të ricikluar, protesta për karrige, siguri të vetëmasturbuar, arsim pa dije, drejtësi zarfash, shëndetësi pa shiringë, bujqësi degdisur kanaleve, art të rreckosur, valixhe që mbushen pa destinacion dhe fjalime klishe në emër të popullit pa popull. Pra, jo pa arsye ridëgjimi i mesazheve “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!” apo “Liri demokraci!”, është bërë si këngë krejt normale ku askush s’i mendon si lajm reflektimi por si melodi që është i detyruar të hedhë këmbët sipas të parit të valles. Ndaj edhe sot, këto thirrje lapitareske janë shndërruar në meme pikante që kanë pushtuar rrjetet sociale. Fatkeqësisht, në vend që ato të na rrëqethnin mishin për të shkuarën, po na shkulin brinjët nga vendi për të tashmen pasi edhe kauza më serioze ka veshur rrobat e karnavaleve.

Kjo s’ka qenë kurrë “Republika e Shqipërisë” që u projektua në ëndrrat e atyre viteve, por dhembshurisht është bërë “Republika e memeve” që kanë ditur ta mjelin duke u zgërdhirë. Dhe neve s’na ngelet gjë tjetër veç se të zgjedhim: Ose të qeshim, ose të qajmë, ose të zgjohemi!