Ditët e fundit Parlamenti grek vendosi t’i kërkonte Gjermanisë pagimin e reparacioneve të luftës në vlerën rreth 300 miliardë euro.

Në këtë kontekst, sqarohet edhe një herë çështja e reparacioneve që kërkonte Shqipëria.

Për këtë çështje, gazeta Dita ka pyetur prof. Ksenofon Krisafi, i cili njihet si një ndër njohësit dhe specialistët më të mirë të saj në vend.

Madje në vitin 2009 ai ka botuar edhe një libër kushtuar dëmshpërblimeve të Luftës së dytë Botërore, të titulluar “Diplomaci pas lufte-negociatat me Italinë dhe Gjermaninë për dëmet e luftës në Shqipëri”.

– Prof. Krisafi, ju lutemi a mund të bëni një koment të përgjithshëm për lajmin e ditëve të fundit që i referohet kërkesës greke për reparacione lufte nga Gjermania?

– Pa marrë përsipër të gjykoj apo më tepër të qortoj vendimin e parlamentit grek, institucionit sovran ligjvënës të fqinjës sonë jugore, qoftë edhe për arsye etike, duhet pohuar se ai do ketë gjetur argumentet e nevojshme juridike. Edhe disa vjet më parë kanë qarkulluar lajme se autoritetet kompetente greke iu kanë kërkuar autoriteteve homologe gjermane shpërblimin e humbjeve njerëzore dhe pagimin e dëmeve materiale të shkaktuara në Greqi në Luftën e Dytë Botërore.

Në marsin e vitit 2014, gjatë vizitës zyrtare të ish presidentit gjerman Gauck në Athinë, ish presidenti grek Karolos Papulias, i kërkoi fillimin sa më shpejt të negociatave për reparacionet e luftës. Miku nga Gjermania u përgjigj se rruga juridike ishte e mbyllur, duke thënë se “Unë nuk do të prononcohem në lidhje me këtë. Dhe me siguri nuk do të them diçka të ndryshme nga ajo që ka deklaruar qeveria ime,” e cila e sheh të mbyllur çështjen e reparacioneve të luftës për Greqinë. “I zoti i shtëpisë”, iu rikthye këtij problemi edhe gjatë banketit shtetëror në mbrëmje. “Lidhjet e mia të veçanta me Gjermaninë, u shpreh ai, ma bëjnë edhe më të vështirë të kuptoj refuzimin e qeverisë gjermane për të folur për temën e kredisë së detyruar gjatë pushtimit nazist dhe për reparacionet”. Ai e klasifikoi atë si një “temë të moralit politik”, e cila, sipas tij rëndonte prej dekadash mbi marrëdhëniet gjermano-greke. Sqaroi se krahas zhdëmtimeve për dëmet materiale dhe jetët njerëzore, bëhej fjalë edhe për një kredi të detyruar, që Banka e Greqisë i kishte dhënë Bankës së Rajhut, në vitin 1942. Në atë kohë shuma e dëmshpërblimeve gjermane ndaj Greqisë vlerësohej në rreth 160 miliardë euro, kurse kredia e detyruar në disa miliarda euro.

Kredinë e vitit 1941 nazistët e kishin llogaritur në vitin 1945 në shifrën 476 milionë marka të Rajhut, e cila ishte përditësuar në atë kohë në rreth 11 miliardë euro. Me to nazistët, siç kishin vepruar edhe në vende të tjera, përfshirë Shqipërinë e pushtuar, financuan zyrtarisht “shpenzimet e pushtimit” në vend. Papulias, në atë bisedë jo dhe aq të këndshme dhe aspak të lehtë, la të kuptonte se Greqisë i kërkohej të zbatonte masat e dhimbshme për rimëkëmbjen e financave shtetërore, në një kohë kur Gjermania refuzonte të diskutonte për detyrime me prejardhje nga Lufta e Dytë Botërore. Presidenti gjerman, pa i hyrë hollësive dhe pa folur në mënyrë të drejtpërdrejtë, shprehu keqardhje që krimet e regjimit nazist në Greqi dhe në Gjermani kanë mbetur në masë të madhe të pazbuluara dhe “fatkeqësisht të pandëshkuara… Jam i gëzuar, tha ai, që ne sot në Gjermani pyesim edhe një herë se çfarë rezulton nga përgjegjësia jonë politike dhe morale kundrejt Greqisë”.

Kërkesa u ringjall sërish në janarin e vitit 2015, kësaj here nga kryeministri Aleksis Cipras, i cili ngulte këmbë që një çështje e tillë duhet të rihapej për diskutim. Greqia priste të merrte nga Gjermani ende disa miliarda euro si dëmshpërblim.

– Sa ishte vlera e reparacioneve që mori Greqia pas Luftës?

– Viktimave të krimeve naziste në Greqi, ish-Republika Federale e Gjermanisë, në bazë të një marrëveshjeje të vitit 1960, iu kishte paguar 115 milionë marka gjermane, shumë kjo që, siç thuhej në atë kohë, mbulonte të gjitha kërkesat për dëmshpërblime individuale. Përfitimet në natyrë që pati Greqia, të rillogaritura me kurset e mëvonshme janë vlerësuar në rreth dy miliardë dollarë. Qeveria gjermane mendonte se çështja e pagesave të reparacioneve në tërësi kishte marrë një përgjigje përfundimtare në Konferencën e Reparacioneve, të zhvilluar në Paris, në nëntor-dhjetor 1945. Ajo i akordoi Greqisë reparacione në masën 2.70 % të pasurive gjermane jashtë Gjermanie dhe 4.35 % nga pasuritë brenda vendit, të cilat Gjermania e pasluftës do t’iu paguante 18 shteteve që do të përfitonin reparacione. Greqia kërkonte shpërblim për rreth 300 mijë viktimat e luftës si dhe për dëmet materiale që, sipas Athinës, të rivlerësuara këto kohë, kanë arritur në rreth 300 miliardë euro.

Kërkesën e rihedhur për diskutim në këto ditë prilli, në formën e një akti të miratuar nga parlamenti grek, i cili autorizon kryeministrin Cipras që të ndërmarrë hapat e duhura juridike e diplomatike për të kërkuar reparacionet e Luftës së Dytë Botërore nga Gjermania, kreu i qeverisë greke e quajti të patjetërsueshme.

Çështja e kredisë gjermane të quajtur aso kohe “borxh lufte”, e cila, sipas specialistëve grekë, do të ishte midis 3.5 miliardë deri në 11 miliardë euro, është trajtuar posaçërisht nga një konferencë ndërkombëtare në Londër, në shkurtin e vitit 1953. Fuqitë perëndimore e shtynë shlyerjen e borxheve të luftës dhe rregullimin e kërkesave për reparacione të tjera, deri në lidhjen e Traktatit të Paqes me Gjermaninë. Siç dihet për shkak të zhvillimeve të mëvonshme, ai nuk u nënshkrua kurrë. Në vitin 1990 hyri në fuqi traktati për bashkimin e Gjermanisë, i quajtur ndryshe “Marrëveshja dy plus katër”, që nuk parashikon pagesa reparacionesh të tjera dhe që nuk dihet të jetë kundërshtuar nga Greqia.

Çështjen e reparacioneve ajo e rihapi me forcë e theks të veçantë kur në vend shpërtheu kriza e borxheve. Në vitin 2010 Athina i kërkoi ndihmë BE, për të shmangur falimentimin e shtetit. Gjermania dha një hua prej rreth 65 miliardë euro. Kryeministri Cipras dhe funksionarë të tjerë grekë kanë këmbëngulur që këto detyrime të llogaritura, sipas “Bild” në 332 miliardë euro, duhen shlyer nga pagesat gjermane të reparacioneve të luftës ndaj Greqisë. Në Greqi ka jo pak specialistë dhe juristë që këtë mënyrë arsyetimi e konsiderojnë të përshtatshme, por ka edhe të tjerë që shprehen kundër për një varg motivesh, që i lidhin me kontekstin politik, juridik dhe me kohën e gjatë prej rreth 75 vjetësh që ka kaluar që prej lindjes së këtij detyrimi.

Cipras ka deklaruar se “Kur Gjermanitë u bashkuan, vendosën që të heshtin sërish”. Kjo nuk është morale. “Ne nuk dorëzohemi. Nuk tërhiqemi nga e drejta jonë. Nuk bëjmë moral, por as nuk pranojmë të na bëjnë moral.”

Në marsin e vitit 2014 dueli në distancë midis palëve mori përmasa edhe më të ashpra. Ministri i Drejtësisë, Nikos Paraskevopulos kërcënoi se do të lejonte sekuestrimin e pasurive gjermane në Greqi, nëse nuk do të arrihej një marrëveshje me Berlinin. Madje një gjykatë greke, në vitin 2000 ka pranuar që të konfiskohen pasuritë gjermane për dëmshpërblimin e viktimave të masakrës së Distomos, ku, në vitin 1944, nazistët vranë 218 persona.

Në verën e 2014, ministri i Financve të asaj kohe, Yanis Varoufakis, duke e quajtur vendin e vet “si më të paaftin ndër të gjitha shtetet për të paguar borxhet”, deklaroi se “Greqia nuk do t’a shlyejë kurrë borxhin e saj”. Ai vazhdonte më tej se “Njerëzit e zgjuar në Bruksel, Frankfurt apo Berlin e dinin mirë që në maj të vitit 2010 se Greqia nuk do t’i paguante kurrë borxhet. Por e bënë këtë, sikur Greqia të mos ishte e falimentuar, por të kishte para të mjaftueshme”. “Në këto kushte, t’i japësh kredinë më të madhe në histori shtetit më të paaftë për të shlyer detyrimet, ky është krim kundër njerëzimit”.

Tre vjet më pas, në tetorin e vitit 2018, çështja u rishfaq sërish në raportet e Athinës me Berlinin. Ishte “Der Spiegel” që njoftoi se Greqia do të fillonte të kërkonte nga Gjermania 280 miliardë euro të reparacioneve të Luftës së Dytë Botërore, shumë e cila përkonte me borxhin grek. Revista theksonte se për sa kohë që Greqia ishte e varur nga mbështetja e BE-së, shmangej kërkesa e reparacioneve të luftës, ndërsa kur ajo përfundoi programin e tretë të ndihmave, filluan pretendimet për to. Kërcënimi grek kësaj here ishte edhe më i ashpër, duke i kujtuar Berlinit se mund t’i drejtohej gjykatave gjermane, Këshillit Europian dhe OKB-së. Deri më sot Greqia nuk përdori asnjë nga alternativat e lartpërmendura.

U duk se kërkesa ishte lënë mënjanë. Por, javën e kaluar, siç u përmend, ajo u përfshi sërish në rendin e ditës së punimeve të parlamentit grek. Kryeministri Cipras tha se do t’i dërgojë Berlinit një notë verbale rreth të drejtës së patjetërsueshme për kompensim. “Kjo është detyra jonë historike dhe morale, dhe besojmë se për të pasur një të ardhme më të mirë duhet të mbyllim çështjet e mëdha të së shkuarës. Besoj thellësisht se Gjermania e kupton këtë dhe do të bëjë të njëjtën gjë.” Edhe kryetari i partisë kryesore opozitare, Kirjakos Micotaqis, tha se zgjidhja e problemit të reparacioneve duhet të jetë prioritet i çdo qeverie. Sipas tij, e ashtuquajtura “kredi e okupacionit nazist” duhet të jetë argumenti themelor i vendit në përballjen me Gjermaninë. Ndoshta një lloj presioni, që ka të ngjarë se avancohet për t’u përdorur më tepër për konsum të brendshëm në pragun e fushatës elektorale, ka bërë që kësaj here kërkesa të dalë e zyrtarizuar dhe e certifikuar nga legjislativi grek.

Berlini përsëriti atë që kishte deklaruar vite më parë se gjermanët janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre historike, por tema e reparacioneve është mbyllur ligjërisht edhe politikisht në vitin 1960, kur të dy palët arritën një marrëveshje, e cila rezultoi në pagesën e 115 milionë markave për pasojat e luftës.

– Po me shtetet e tjerë si ka vepruar Gjermania?

– Midis viteve 1959-1964, RF e Gjermanisë nënshkroi marrëveshje për kompensime individuale me 12 shtete europiane, që ishin Luksemburgu, Norvegjia, Danimarka, Greqia, Holanda, Franca, Belgjika, Italia, Zvicra, Austria, Britania e Madhe dhe Suedia. Ajo iu pagoi atyre një shumë të përgjithshme prej 997 milionë marka gjermane, në bazë të disa akteve të legjislacionit të saj të brendshëm. Edhe vende të tjerë, dekada më parë kanë avancuar kërkesa për pagimin e dëmshpërblimeve të luftës ndaj qeverive të ish RF të Gjermanisë, ende të pabashkuar me RD Gjermane. Kështu ka ndodhur me Izraelin, Poloninë, ish-Jugosllavinë, Shqipërinë etj. Disa prej tyre kanë arritur të marrin madje shuma të konsiderueshme, por jo nën emërtimin reparacione. Kështu ka ndodhur me Izraelin, që thuhet se ka marrë gati mbi një miliardë dollarë USA, Poloninë dhe Jugosllavinë, që kanë marrë disa qindra milionë DM. Qeveritë gjermane të kohës i kanë klasifikuar si kredi me kushte lehtësuese, ndihma për zhvillim etj. Arsyet që janë përdorur prej tyre ishin pengesat formale që buronin nga legjislacioni i brendshëm dhe aktet juridiko-ndërkombëtare, si dhe nga frika se ato mund të shndërroheshin në precedent për kërkesa të tjera që mund ta vinin ish Gjermaninë Perëndimore në vështirësi financiare e ekonomike.

– Po për Shqipërinë si është trajtuar dhe si është zgjidhur çështja e reparacioneve të luftës me Gjermaninë?

– Konferenca e Reparacioneve e Parisit, 1945, i caktoi Shqipërisë përkatësisht 0.05 % dhe 0.35 %, të pasurive të jashtme dhe të brendshme gjermane, shumë të cilën delegacioni i saj e konsideroi të frymëzuar nga mëshira dhe jo nga realiteti. Shqipëria mori rreth një milionë dollarë dhe pothuajse po aq në objekte në natyrë, pajisje, mjete etj nga çmontimi i industrive gjermane. Midis tyre bënte pjesë edhe një anije, të cilës iu vu emri “Borova”, në përkujtim të masakrës së kryer nga ushtritë naziste në fshatin Borovë, kur hynë në territorin shqiptar nga Greqia. Por ajo nuk u përdor sepse, kishte nevojë për riparime dhe u la në një nga portet e ish-Jugosllavisë, prej nga nuk erdhi fare në Shqipëri. Ishte koha kur në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave u vërtetuan cuname të fuqishme politike dhe ekonomike.

Në vitin 1975, qeveria shqiptare e njoftoi qeverinë gjermano-perëndimore se kërkonte shlyerjen e reparacioneve të luftës, vlera e të cilave arrinte në shumën e 2 006 500 000 dollarëve amerikanë. Asaj i shtoheshin edhe fitimi i munguar ose interesat që rridhnin nga mosshlyerja në kohë, të cilat ishin llogaritur në 2 559 554 000 dollarë amerikanë të vitit 1938.

Kërkesa shqiptare u refuzua. Përfaqësuesit zyrtarë të Bonit shpreheshin se e kishin të pamundur të kryenin pagesa me titullin formal reparacione lufte. Por, theksonin që nëse ndërmjet dy vendeve do të rivendoseshin marrëdhëniet diplomatike, kreditë tregtare, ndihmat për zhvillim dhe shkëmbimet ekonomike do të plotësonin një pjesë të pretendimeve shqiptare për shpërblimin e dëmeve të luftës. Thashë një pjesë sepse shumën e rivendikuar nga Tirana zyrtare, autoritetet gjermane e konsideronin tej mase të ekzagjeruar.

Realisht lidhja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve më 2 tetor 1987, i hapi rrugën një procesi intensiv zhvillimesh në raportet ekonomike, tregtare e financiare që i dha Gjermanisë një vend të veçantë në këto shkëmbime dhe që e shndërroi atë në një nga partnerët e vlerësuar politikë të Shqipërisë në Europë. Nga kjo pikëpamje gjykoj se aktualisht nuk ka vend as në kontekstin juridik, aq më tepër në atë politik që qeveria shqiptare t’i rikthehet kësaj çështjeje.