Nga Ylli Pata

Sot, tre vjet pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese të paketës për drejtësinë që tashmë quhet rëndom reforma në drejtësi, janë ngritur vetëm tre institucionet piramidale të sistemit të ri: gjykatat e vettingut, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Të gjithë po presin në ankth ngritjen e SPAK-Prokurorisë Speciale Antikorrupsion, bashkë me Gjykatën Speciale dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, si institucionet që do të nisin hetimet për zyrtarët e politikanët e lartë, apo ata që quhen “peshqit e mëdhenj”.

Në këtë tre vjetor po rrekin të gjithë të nxjerrin komentet e tyre: mazhoranca të mbrojë qëndrimin politik në përkrahje të reformës dhe opozita akuzon mazhorancën se ka kapur institucionet.

Edhe presidenti Ilir Meta foli sot për reformën, duke nxjerrë në pah rolin e tij më 21 korrik 2016, për të siguruar një konsensus për reformën, si dhe i bëri elozhe Komisionit të Venecias, i cili në shkurt të 2016 solli një draft final që u implementua.

Po si është e vërteta e kësaj rruge të gjatë të një reforme që ende nuk ka jetësuar hapat e saj konkretë? Për këtë ja vlen shkurt të renditen gurët kilomentrik të saj, për të nxjerrë çka ndodhur, kush janë aktorët që e kanë përkrahur dhe ata që e kanë kundërshtuar.

Në vitin 2013, Edi Rama pasi arriti një fitore të madhe në koalicionin me LSI-në duke siguruar 84 vota, pra 3/5-at e Kuvendit, nuk arriti dot që këtë mazhorancë për reforma ta kthejë në një koalicion reformues.

Gjithçka ngeci që në fillim të rrugës. Partneri i PS-së kundërshtoi që në fillim draftin për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që u cilësua si FBI-ja shqiptare dhe përkrahu dërgimin e saj në Gjykatën Kushtetuese, që e rrëzoi.

Në draftin fillestar i jepej shumë kompetenca ministrit të Brendshëm, por LSI nuk kundërshtoi vetëm këtë pjesë, por rrëzoi draftin në tërësi, kur mund ta kishte përmirësuar atë në variantin actual, ku ministri i Brendshëm nuk është i plotfuqishëm për të emëruar kreun e BKH dhe për ta kontrolluar atë.

Pas dështimit të PS-së për të udhëhequr e vetme hartimin e reformës, hyri në lojë SHBA dhe BE.

Angela Merkel, kur vizitoi Tiranën në vitin 2015 kërkoi hapur nisjen e reformës në drejtësi.

SHBA caktoi misionin e saj të ekspertëve OPDAT dhe BE caktori Euralius për të hartuar draftin e reformës në drejtësi.

Drafti parashikonte si thelb të sajin VETTINGUN, ose kualifikimin nga e para të gjyqtarëve dhe prokurorëve. U vendos që një grup monitorues ndërkombëtar të vëzhgonte ngushtësisht procesin, duke pasur të drejtë këshillimi dhe jo vendimi.

Parlamenti do të ngrinte komisionet e vettingut me bazë shortin, më pas komisioneve ad hoc që bënin emërimin.

Në fund u bë një draft që parashikoi ngritjen e një sistemi të komplikuar të përzgjedhjes dhe qeverisjes së gjykatave dhe prokurorive, ku thelbi ishin: heqja e të drejtës së presidentit të emëronte gjykatësit dhe prokurorit, heqja e të drejtës së Parlamentit që gjithashtu të ndërhynte në drejtësi, duke krijuar kështu një sistem ku si bazë kishte: kriteret, shortin e padyshim vettingun.

Sapo drafti u miratua PD-ja dhe LSI-ja, e cila kishte edhe ministrin e Drejtësisë, kundërshtuan fort kompetencat e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, duke u vendosur në pozita e sovranistit e duke folur për shkelje të pavarësisë së Shqipërisë.

Këtë qëndrim e ka deklamuar hapur i pari dhe më qartë ish-kryeministri Sali Berisha, por edhe eksponentë dhe enturazhi i PD-së dhe LSI-së në media.

Në këtë kohë nisi një sulm frontal ndaj OPDAT, Euralius dhe veçanërisht ambasadorëve të SHBA-së dhe BE-së: Donald Lu dhe Romana Vlahutin.

Me fjalor nga më të tmerrshmit për etikën mediatike. Kjo fushatë ishte një artileri me bombardim të vazhdueshëm me gjasë krijimin e një opinioni të egër ndaj Lu-së e Vlahutinit, si persona të lidhur me Ramën, të korruptuar, përkrahës të trafikut të drogës etj.

U sulmuan poshtë brezit dhe ekspertët e dy misioneve të SHBA dhe BE-së, madje drejtuesi i Euralius, një super ekspert i drejtësisë gjermane, u largua pas këtij sulmi për t’u kthyer thjesht si këshilltar në Shkollën e Magjistraturës.

Pasi procesi arriti kulmin, SHBA me gojën e Donald Lu-së kërkoi votimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend.

Lulzim Basha pasi kishte premtuar të votojë pro, ndryshon qëndrim, atëherë Lu publikisht e akuzon për pabesi (për parantezë duhet thënë se SHBA i dha një kartë të madhe Bashës me ligjin e dekriminalizimit, çka i jepte mundësi opozitës të ringrihej politikisht me një argument të fuqishëm moral).

Atëherë Ambasada e SHBA i kërkon çdo deputeti me anët të SMS-ve, që të votojë reformën. Ilir Meta, në atë kohë kryetar Kuvendi, i cilësoi këto sms shantazh. Ai kërkoi një negociatë finale për reformën me opozitën, ndryshe tha se do të largohej edhe nga qeveria.

Lu e Vlahutin u mbodhën në zyrën e Ilir Metës, së bashku me Lulzim Bashën. Edi Rama kishte folur publikisht se PS mbështet qëndrimin e ndërkombëtarëve dhe PD e LSI të binin dakord me SHBA e BE.

Në negociata ndërhyri madje edhe Angela Merkel, që i telefonoi Lulzim Bashës, por edhe komisioneri i Zgjerimit, si dhe zyrtarja e lartë e DASH, Victoria Nuland.

U vendos që në komisionet e vettingut, opozita të ketë të drejtën e vetos, pra një pushtet të njëjtë me mazhorancës, për emërimin e kandidatëve të dalë nga shorti publik.

Në fund u arrit që të votohet me 140 kartona jeshilë paketa kushtetuese për Reformën në Drejtësi. Paketë e cila do të shoqërohej me shtratin ligjor përkatës.

Por PD e LSI menjëherë kundërshtuan draftin ligjor, megjithëse ishte hartuar nga ndërkombëtarët, siç u tha publikisht nga Lu e Vlahutin, por edhe zyrtarë të tjerë.

PD dërgoi në Kushtetuese ligjin e vettingut, bazën e reformës në drejtësi, si dhe ligjin e qeverisjes së gjyqësorit, çka rregullonte ngritjen e KLGj, KLP, por edhe SPAK.

Ndërkaq, një numër shoqatash gjyqtarësh dërguan në Kushtetuese pjesë të tjera të paketës shoqëruese të reformës.

SHBA me anë të Donald Lu-së, akuzoi publikisht PD e LSI se po sabotojnë reformën dhe paralajmëroi anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese la pezull vendimet e saj për paketën, duke vonuar gati 6 muaj implementimin e reformës në drejtësi. Argumenti: Opozita kishte kërkuar mendim nga Komisioni i Venecias për reformën, veçanërisht vettingun.

Më 12 dhjetor, Komisioni i Venecias dërgon një draft ku në thelb mbron fort vettingun dhe Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, dhe kërkon rregullime në gjithëpërfshirjen edhe të opozitës në procesin e zgjedhjes së organeve të larta të gjyqësorit, si dhe kryeprokurorin e Republikës.

Komisioni i Venecias, si grup ekspertësh apolitik jep edhe një recetë për të zhbllokuar reformën në rast se bllokohet politikisht. Propozon zgjedhjen e krerëve me 84 vota dhe si alternative, nëse nuk bëhen të tilla, jep klasifikimin sipas kritereve.

Opozita e quan këtë opinion fitore, çka shikohet edhe tani nga qëndrimi i presidenit Meta, dhe këtë e përhap në mediat e saj e rrjete sociale.

Por në thelb Venecia nuk preku reformën dhe në radhë të parë vettingun.

Pas ardhjes së opinionit të Venecias, Gjykata Kushtetuese nuk rrëzon Ligjin e Vettingut, ndërkohë që situata komplikohet në marrjen në shqyrtim të ligjeve të tjera të reformës.

Megjithatë nis ngritja e strukturave fillestare për nisjen e aplikimeve për në institucionet e reja të drejtësisë, pra KLGJ e KLP, natyrisht të gjithë kandidatët do të kalonin në vetting. Në këtë kohë, ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu, akuzoi kryeprokurorin e asaj kohe Adriatik Llalla se po pengonte reformën në drejtësi, duke përdorur njerëzit e tij si Rovena Gashi në KED, pra Këshillin e Emërimit në Drejtësi, që vendoste hapat procedurialë të nisjes së aplikimeve së bashku me shortet përkatëse.

Avokati i Popullit nga ana tjetër nisi procedurat për anëtarët e dy shkallët e komisioneve të vettingut. Në fillim pati një ngecje në proces.

Njerëz nga brenda sistemit të drejtësisë hezituan të futen në procesin e aplikimit, çka nga SHBA e BE u konsiderua një rezistencë e heshtur për të vonuar reformën.

Atëherë Ambasada e SHBA bëri thirrje për aplikime edhe nga jashtë sistemit, pra nga jashtë institucioneve të drejtësisë, që të aplikojnë për në organet e vettingut.

Si pasojë në raundin e dytë hynë në proces mjaft ekspertë edhe nga institucionet apo entet shtetërore, ku kishin punuar si juristë.

Në pranverë të 2017-s ishte afati për të miratuar komisionet e vettingut në Parlament.

PD që kishte veton, hyri në çadër. Procesi dihet si zgjati deri më 17 maj me marrëveshjen Rama-Basha. Më pas u miratuan Komisionet e Vettingut. Shqipëria hyri në zgjedhje parlamentare, që u fituan nga PS.

Në tetor, nis çështja “Tahiri”, Basha i kërkon Adriatik llallës ta arrestojë ish-ministrin e Brendshëm, që akuzohet zyrtarisht për trafik ndërkombëtar narkotikësh.

Mazhoranca dhe opozita nisën një betejë politike për 2 muaj me këtë çështje që tashmë dihet si ka përfunduar.

Në fund të vitit 2017 mbaron mandati i Adriatik Llallës si prokuror i Përgjithshëm. Por KLP që përgatit zgjedhjen e kryeprokurorit nuk qe ngritur. SHBA dhe BE propozojnë zgjedhjen e një prokurori të Përgjithshëm provizor.

Edi Rama, kryeministër e shef i mazhorancës i kërkon Lulzim Bashës të hyjë në procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit të Përkohshëm, natyrisht me negociata në Kuvend.

Basha e refuzon, duke thënë se këtë proces e konsideron pazar. Por çfarë jepte si alternativë? Mbajtjen në post të… Adriatik Llallës. Ndërkombëtarët e refuzojnë kategorikisht dhe më pas siç dihet, u zgjodh Arta Marku, nën një trysni të fortë politike.

Në këtë çast e gjithë opozita nuk e njeh më reformën në drejtësi, duke e konsideruar të kapur nga mazhoranca.

Por ndërkombëtarët, të cilët janë brenda në proces me OMN kanë mendim ndryshe; ata thonë se nuk ka kapje.

Edhe presidenti Meta ka të njëtin mendim dhe ka një qëndrim të përgjithshëm nga opozita, që nëse ka një marrëveshje me mazhorancën për kriza politike, duhet të preket reforma, pasi ajo është baza e kapjes së sistemit nga Rama.

Këtë e thonë çdo ditë analistë të opozitës në panelet televizive. Por SHBA nëpërmjet një zyrtari të lartë si Philip Riker, e tha troç, duke e vulosur: reforma në drejtësi nuk negociohet, ajo vetëm zbatohet.

Por kur do të zbatohet? Ky është problem, të gjithë ndjehen të lodhur e të zhgënjyer nga kjo zvarritje torturuese.

Po a ja ka vlejtur kjo pritje e gjatë, nëse SPAK merret me cironka?! Kjo është edhe dilemma që vë në ankth shumicën e shqiptarëve që kanë pasur shumë shpresë tek reforma në drejtësi, që ata e barazojnë me pastrimin e politikës.

TemA