Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka përgënjeshtruar presidentin Ilir Meta lidhur me akuzat e tij për kapjen e reformës në drejtësi nga qeveria “Rama”. E ftuar në emisionin “Tempora” në Ora News, Gjonaj bëri një kronologji të implementimit të reformës ku tregoi se kreu i shtetit nuk ka kryer detyrat kushtetuese për ta çuar përpara.

Gjonaj u shpreh se mungesa e Gjykatës Kushtetuese vjen si pasojë e mos kryerjes së detyrës së presidentit në kohën kur duhet të shpallte vakancën, duke kujtuar edhe mungesën e vullnetit nga ish kreu i shtetit Bujar Nishani.

Gjithashtu, e pyetur nga moderatorja Sonila Meço, ministrja solli në vëmendje edhe vonesat e shkaktuara nga Partia Demokratike.
“Nëse Presidenti do të ishte vërtetë i shqetësuar për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, do të duhej të kishte hedhur shortin e KED-së, si në vitin 2017, ashtu edhe në vitin 2018. Nuk e bëri.
Nëse Presidenti do ishte vërtet i shqetësuar për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, do të duhej të kishte shpallur vakancën e parë kur është njoftuar që në 2016 (Nishani), për dorëheqjen e një anëtari të saj. Nuk e bëri.
Por në fakt e ka shpallur dy vite më vonë gati në shkurt të vitit 2018. Të gjitha këto vonesa nuk janë për shkak të qeverisë. Qeveria i ka bërë të gjitha detyrat e saj dhe Ministria e Drejtësisë ka ushtruar të gjithë funksionin e plotë kushtetues dhe ligjor.

Qeveria dhe mazhoranca nuk kanë të bëjë fare me emërmin apo funksionimin e sistemit të drejtësisë, pasi tashmë që të dy institucionet qeverisëse të sistemit janë ngritur dhe po funksionojnë më së miri.

“Aspekti i dytë në të cilën doja të ndalesha te deklarata e presidentit, është fakti që ai artikulon se kryeministri, qeveria dhe mazhoranca janë përgjegjëse për mosngritjen e Gjykatës Kushtetuese duke sjellë çështjen e intimidimit të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në fakt nuk është absolutisht e vërtet.

E para nëse i kthehemi pas kohës që nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese më 22 korrik 2016, vonesat e para vinë nga dakordësia që opozita duhet të jepte për miratimin e shtatë ligjeve të tjera të reformës të cilat ishin plotësuese dhe në zbatim të ndryshimeve kushtetuese.

Nëse marrim ligjin e fundit të paketës së 7 ligjeve që kanë të bëjnë me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ai ka hyrë në fuqi në dhjetor të vitit 2016, që do të thotë se vonesa e parë prej 6 muajsh është krijuar pikërisht për mungesën e dakortësisë së Partisë Demokratike.

Presidenti Nishani, në tetor 2016 sipas parashikimeve kushtetuese duhet të ngrinte procesin për ndërtimin e procesit të vettingut, presidenti Nishani nuk e ushtroi funksionin dhe përgjegjësinë e tij që e kishte detyrim për t’i ngritur dhe për të ndihmuar ngritjen e komisioneve.

Më pas, nëse kthehemi në kohë, presidenti Nishani duhet të hidhte shorin për ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, gjithashtu për herë të dytë ai nuk e kreu detyrën e tij”, u shpreh Gjonaj duke sjellë në vëmendje edhe shortin e hedhur nga kreu i Kuvendit Ilir Meta në Janar të vitit 2017 për ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili nuk funksionoi duke mos pasur asnjë pengesë ligjore.