Gazetari dhe botuesi i gazetës “TemA” Mero Baze, ka kujtuar në rrjetin social Facebook një postim të gjashtë viteve më parë kur ish kryeministri Sali Berisha lexonte fjalimin e dorëheqjes nga Partia Demokratike pas humbjes së thellë në zgjedhje.

Për analistin, kjo nuk ishte një dorëheqje, por një lëvizje formale për të mos ikur asnjëherë nga drejtimi i PD-së.

“Sali Berisha nuk i ka marrë asnjëherë seriozisht mesazhet e shqiptarëve, dhe nuk i mori sot në fjalimin e tij të fundit politik.

Eshtë arsyeja përse këtë njeri nuk e respekton dot, as kur ikën si qen i rrahur nga populli shqiptar në shtëpi të vet, në atë Familje që ka hyrë në gjak me këtë vend.

Më vjen keq për ata që lotojnë para PD-së. Ata janë vërtet për të qarë, por jo pse po ikën Sali Berisha, por pse po u heq shansin të vijnë ndonjë herë në pushtet.

Ajo parti nëse nuk rithemelohet, do të ketë fatin e sotëm të Sali Berishës, i cili po tenton të bëj politikë me ikjen formale të tij, për të mos ikur nga ajo parti”, nënvizonte Mero Baze. (TemA)