Referimi i historisë nga Meta si parodi: Si lexues besnik i “Testamentit te një mitomani” të Leka Bungos që publikohet nga TemA

Nga Ylli Pata

Presidenti Ilir Meta, prej kohësh që kur ka nisur një përplasje politike me Edi Ramën dhe SHBA e BE, i referohet gjithnjë e më shpesh historisë dhe personazheve të historisë. Duket interesante sesi një politikan me përvojë me formim ekonomik, që përgjithësisht ka përdorur logjikën dhe retorikën pragmatiste si diskurs, i është kthyer një reference në veprat e të parëve, madje edhe duke importuar një slogan të Donald Trumpit “Shqipëria e para”, që realisht e përdorin shumë edhe politikanët e LSI-së, partisë që ka drejtuar zoti Meta.

E nisi me Salvador Allenden, presidentin socialist të Kilit, i cili u vra nga junta ushtarake e Augusto Pinochet, që në fakt pati edhe përkrahje atëherë nga administrate amerikane e presidentit Nixon dhe sekretarit të shtetit, të famshmit Henry Kissinger. Meta tha që do të sakrifikohet si Aljende kundër një junte, kur në fakt ngjan shumë pak me njeriun që u bë hero jo vetëm për socialistët kilianë, por për shumë e shumë progresistë botëror.

Një mjek brilliant, një shkencëtar i klasit të parë, Allende ishte një veprimtar që u shqua në gjithë botën. Ai ishte ndër deputetët e parë që i shkroi Adolf Hitlerit që të ndalte persekutimin e hebrenjve, ai garoi për vite e vite për president të Kilit deri sa fitoi në vitin 1970, pas një karriere briliante gati 40 vjeçare politike aktive.

Në fund, kur ndërmori me bindje reforma të forta të majta siç ishin shtetëzimi i koorporatave të bakrit që kontrolloheshin nga shumëkombëshet, ndodhi një grusht shteti nga ushtria, ku Pinochet i rrethoi Pallatin Presidencial. Allende rezistoi; vetëvrasja është një detaj që ende nuk është provuar ligjërisht. Allende shkriu pasurinë e tij për qëllimin publik. Gjyshi i tij themeloi shkollat e para laike në Kili, pra vinte nga një familje elite intelektuale.

I ngjan Meta Allendes?! Sot presidenti përmendi Avni Rustemin, duke ja kundërvënë plumbat e labohovitit famëmadh që u zgjodh deputet në Kosovë, Edi Ramës, që siç Meta dhe zonja Kryemadhi-bashkëshortja e tij e krahasojnë me Esat Pashë Toptanin, feudalin tiranas që vrau Avniu. A ngjan me Avni Rustemin Ilir Meta? Thjesht për parantezë: Leka Zogun në vitin 2002, e amnistuan pas revoltës së 1997 në KQZ, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi personalisht me nismën e tyre. I ndjeri Princi Leka, pretendenti për fronin Mbretëror të shqiptarëve u prit nga një delegacion parlamentar që e kryesonte zonja Kryemadhi.

E babai i Princ Lekës, ishte nipi i Esat Pashës, i akuzuar si urdhëruesi për vrasjen e Avni Rustemit. E në fund, siç e tha edhe vetë presidenti, ai dhe e shoqja, edhe pse vijnë nga familje të pasura dhe që gjithë jetën kanë pasur vetëm rroga, sot janë pronarë të sipërfaqeve të mëdha pasurish të patundshme. Avni Rustemi vdiq pa një dyshkë në xhep. Tjetër personazh që Meta ju referua ishte Vijo Kushi. Një djalë me oriigjinë malazeze, banues në Vrakë, një fshat afër qytetit të Shkodrës .

Si të gjithë bashkëfshatarët e tij, ishte një djalë kurajoz dhe burrëror. Banorët e Vrakës kanë një marrëdhënie shumë të mirë me Shkodrën dhe kanë qenë të mira në çdo kohë. Ngjitur me Vrakën janë edhe fshatrat Hot, Grud e re apo Guci e re, që kanë pasur me shumicë shqiptarë të dëbuar nga regjimi serb.  Kjo për parantezë, se presidenti Meta ndoshta nuk i referohet kësaj ane kolaterale të Vojos, i cili është cituar se ju hodh tankut italian, kur hyri në shtëpinë e tij në vitin 1942, dhe u sakrifikua.

Nga shumë antikomunistë shqiptarë, Vojo është akuzuar si një antishqiptar, pasi ka qenë pjesë e komandos guerile që ka vrarë të birin e Isa Boletinit në Shkodër. E megjithatë, simbolin Meta e ka te rezistenca e trimëria e Vojos, që rezistoi ndaj italianëve. Vojo ishte një i ri shkodran, revolucionar, fare politikan, që vdiq në aksion dhe s’pati asnjë ditë pushtet.  E Meta ka qenë ministër disa herë, kryeministër, kryetar Parlamenti e president.

Le të vijmë te Mic Sokoli, ky bir i Malësisë së Gjakovës, që ishte pjesë e trupës kryengritëse të Sulejman Vokshit të vitit 1881, pra pas Lidhjes së Prizrenit, që kërkonin autonominë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, konkretisht pas paktit të Shën Stefanit që i mori Shqipërisë Sanxhakun e Preshevën, e pas Kongresit të Berlinit që na hoqi Ulqinin, Tivarin, Hotin, Grudën, Plavën e Gucinë.

Mic Sokoli i vuri gjoksin një topi osman për t’i thënë “no pasaran”, nuk i japim trojet shqiptare për Mbretërinë Jugosllave që po lindte.

Sa ngjan Ilir Meta me Mic Sokolin?! Në fakt nuk është rasti i zotit Meta, po i asnjë politikani pas vitit 1912, që realisht nuk ka sakrifikuar, por ka bërë pazar apo marrëveshje dhe interesat e vendit vetëm janë shkelur. Mic Sokoli është hero jo vetëm i Malësisë së Gjakovës, por shumë më gjerë, pasi vizionin e konkretizoi.  Ndaj duket se citimi nga Ilir Meta i këtyre emrave të famshëm të historisë shqiptare si pjesë të rrugëtimit politik i ngjan një parodie që me mjeshtëri Koço Devole e Agron Llakaj e kanë luajtur dikur kur thonin se nga ballist u bëra komunist e tani jam me Aleancën Demokratike të Partisë Socialdemokrate.

TemA prej muajsh po publikon një kapriço në prozë të shkrimtarit të njohur Leka Bungo, “Testamenti i një Mitomani”, ku ngërthehen me satirë, sarkazëm e mjaft humor ngjarjet historike të vendit, por edhe personazhet e saj.

E pikërisht kjo panoramë duket se është mjaft e njohur për zotin Meta, i cili e ka përdorur shumë kohët e fundit. Ka shumë gjasa të jetë lexues i “Testamentit” të Bungos… TemA