Në intervistën e tij në emisionin ”Porta a porta” të gazetarit të njohur italian, Bruno Vespa, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se në Shqipëri nuk po ndodhte asnjë revoltë popullore, se në vend ka stabilitet për biznesin e huaj dhe se numri i turistëve është gjithnjë në rritje.

 

Vespa: Por, ka edhe mangësi. Ka njerëz shumë të pasur, por ka edhe të varfër. Kjo është edhe një nga arsyet e protestave në sheshe.

Rama: Besoj se kjo gjë mund të thuhet edhe për Italinë. Ka edhe këtu njerëz të varfër. Sigurisht, duke bërë bilancimin e krahasimit sepse janë nivele shumë të ndryshme jetese. Por, ajo që unë dua t’u them të gjithë atyre që kanë parë këto pamje të protestave të ditëve të fundit iu freskua pak kujtimi i asaj Shqipërie të mbushur me trazira. Kjo nuk është një revoltë e popullit, nuk është populli në shesh. Është një revoltë në ”pallatin e politikës”, pra ai establishment që pesë vite më parë iku me një milion vota, një gjë që nuk kishte ndodhur kurrë në Shqipëri, nuk arrin ta pranojë humbjen dhe, si ballkanikë të mirë, si mesdhetarë të mëdhenj nuk jemi shumë të mirë për të pranuar humbjet, kjo edhe për ju.

Pietro Senaldi (Drejtor i gazetës italiane ”Libero”): Shqipëria po përjeton një zhvillim të madh. Unë jam kureshtar të di, përderisa ka sipërmarrës italianë atje, dihet që për sipërmarrjet stabiliteti është një gjë kryesore. Destabiliteti është vetëm kombëtar apo është i lidhur me faktin që përreth Shqipërisë luhen lojëra me karakter ndërkombëtar. Shqipëria kërkon të hyjë në Europë, por ka edhe vende që nuk pranojnë që Shqipëria, si vend ballkanik, të mos hyjë në Europë. Dimë për raportet e tensionuara me Rusinë, me Iranin. A ka diçka më tepër apo thjesht konflikt kombëtar për pushtet?

Rama: Para së gjithash, po thosha pak më parë, bëhet fjalë për ”revoltë në pallat”, unë nuk flas kurrë në gjuhë të huaj për kundërshtarët e mi edhe pse italishtja nuk është plotësisht një gjuhë e huaj për mua, nuk bëhet fjalë për një revoltë në shesh apo të popullit, por për një revoltë jashtëzakonisht e pazakonshme, një lloj Aventini shqiptar që për më tepër ndodhi, dhe, nga ana tjetër, pyetja juaj është shumë tendencioze. Unë nuk dua të hamendësoj për gjëra për të cilat nuk kemi fakte. Është e qartë, jo të gjithë e duan Shqipërinë në Europë dhe nuk është një sekret që Rusia nuk e pëlqen Europën e madhe. Dhe kur janë të tilla situata, ata me kënaqësi mund të japin një dorë dhe kjo gjë nuk do të ishte aspak një surprizë. Ndërsa për pyetjen që më bëtë për Iranin, Shqipëria është vendi ku një pjesë shumë e rëndësishme e opozitës iraniane është mirëpritur për të shpëtuar jetët e tyre. Ne kemi një traditë, pasi Shqipëria ishte i vetmi vend ku hebrenjtë ishin më të shumë në numër pas luftës sesa përpara luftës dhe që nuk ka në regjistrin e saj të historisë asnjë hebre të dorëzuar te nazistët. Ofruam këtë mikpritje për rreth 3 000 refugjatë iranianë që janë të opozitës. Jemi në një lloj konflikti me regjimin, u detyruam të dëbonim ambasadorin dhe një funksionar tjetër të lartë pasi ishin të përfshirë në aktivitete jo shumë dashamirëse në territorin tonë, por, për më tepër, unë dua të flas për fakte dhe jo për insinuata.