Rama nxjerr shifrat që rrëzojnë tezën “qeveria e oligarkëve”: Sot i kanë fitimet me rënie dhe paguajnë më shumë taksa

Në konferencën e fundvitit me gazetarët Kryeminstri Rama ka folur edhe mbi atë që e quan propagandë të tamtameve politiko-mediatike, akuzat se në qeverisjen e tij kanë përfituar vetëm oligarkët e kompanive të mëdha.

Rama publikoi faktet nga regjistrat e shtetit që provojnë se sot, kompanitë më të mëdhaja në vend, të atyre që media i quan oligarkë, paguajnë më shumë taksa se pesë vite më parë ndërkohë që fitimi i tyre është në rënie.

“Kompanitë që paguajnë tatim fitimi me qarkullim vjetor mbi 8 milion lekë, janë rritur 10 përqind në 5 vite. Kemi 22 mijë kompani të tilla. Pesha e fitimit të 10 kompanive me fitimin më të madh, të “oligarkëve” kundrejt të gjithëve është me rënie 30 %, në krahasim me vitin 2013 dhe 20 % me vitin 2017. Janë shifra reale, lehtësisht të krahasueshme”, tha Rama.

“100 më të mëdhenjtë paguajnë sot më shumë taksa se sa 5 vite më parë dhe pesha e tyre në buxhetin e shtetit është më e madhe ndërkohë që fitimi i tyre është më i vogël se 5 vite më parë. Atëhere ku janë këta të mëdhenjtë që kanë mbledhur në 5 duar pasurinë dhe po bëjnë hatanë me qeverinë?”, përfundoi Kryeministri.