Në 3-mujorin e parë të këtij viti figurojnë të regjistruar në punë mbi 1.2 milionë qytetarë. Kjo shifër është bërë e ditur nga Kryeministri Edi Rama në punimet e Asamblesë së Partisë Socialiste. Kreu i qeverisë dhe kreu i PS theksoi se janë 262 mijë vende pune më shumë për të njëjtën periudhë krahasuar me vitin 2014.

“Sipas Bankës së Shqipërisë, të ardhurat nga vizitorët e huaj në Shqipëri në 9 muaj e parë janë rritur me 158 milionë Euro krahasuar me vitin e shkuar. Në 3 muajt e parë të këtij viti, në Shqipëri janë të regjistruar si të punësuar 1.232.636 vetë, 262 mijë vetë më shumë të punësuar se në 3-mujorin e parë të vitit 2014. Kjo është për ata që thonë ku i keni 300 mijë vendet e punës“, theksoi Kryeministri.

Rama foli edhe për kursin e këmbimit valutor, ku Euro ka shënuar uljen më të madhe historike. Sipas Kryeministrit, Leku është forcuar ndjeshëm, kjo e ndikuar për shkak rritjes së konsumit.

“Kursi i këmbit sot, Leku s’ka qenë asnjëherë më i fortë se sa sot në këto 5 vite të fundit. Dhe jemi në situatën kur konsumi vazhdon rritet dhe nuk mund të thotë askush që rritet nga kanabisi. Në një kohë protestash gjithmonë janë dy pikat ku reflektohet menjëherë tërheqja e konsumatorit”.

Kryeministri përmendi edhe taksat që do të ulen nga 1 Janari i vitit 2019, duke lehtësuar qytetarët dhe bizneset.

“Fakti është që sot puna në Shqipëri taksohet mesatarisht 5.5 %. Dje taksohej 10%. Sot të gjithë ata që marrin rrogë në shtet ose privat deri në 1.5 milionë Lekë paguajnë më pak taksa se sa paguanin dje. 11 mijë biznese do paguajnë 3 herë më pak tatim-fitimi nga 1 Janari i vitit që sapo vjen, dhe tavani i biznesit të vogël do të shkojë nga 80 në 140 mijë Dollarë. Më parë paguanin 10%, nga 1 Janari do paguajnë 5%. Jemi e vetmja ekonomi në rajon ku 91% e atyre që merren me biznes paguajnë vetëm 5% taksë. Në 1 Janar nuk ka më taksë mbi vlerën e shtuar për të gjitha imputet bujqësore. Të gjithë fermerët do të kenë kosto më të ulëta të prodhimit”.

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here