Ylli i Ajaksit të Amsterdamit, Matthijs de Ligt pritet të largohet gjatë merkatos së verës nga ekipi holandez, megjithëse transferimi i propozuar për te Barcelona është lënë në “listë pritjeje” për shkak të kërkesës së lartë të “komisionit” që i takon atij që e njohin si superagjenti i futbollit, Mino Raiola.

19-vjeçari De Ligt udhëhoqi Ajaksin drejt “dopietës” në Holandë, me kampionatin dhe kupën të fituara, ndërkohë që mbërriti gjithashtu deri në gjysmëfinalet e Champions League, ku vetëm sekondat e fundit i mohuan kalimin në finale, pikërisht atje ku pritet të luajë Tottenhami.

Qendrësmbrojtësi ka rënë në sy me disa performanca të jashtëzakonshme, veçanërisht ndaj ekipeve të mëdha të Europës këtë sezon, qoftë ndaj Realit ashtu dhe ndaj Juventusit, por ndërkohë që Barça ishte shpallur publikisht si destinacioni i tij i ardhshëm, negociatat për hedhjen e firmës në kontratë kanë ngecur.

Sipas “Mundo Deportivo”-s, bllokada ka ardhur si pasojë e Raiolës, i cili kërkon nga 8 deri në 10 milionë euro komision, në mënyrë që marrëveshja të arrihet. Këtë “gjobë”, Barça zor se do ta paguajë.

Por, hezitimi për të kaluar në Camp Nou mund të hapë dyert për të tjera ekipe të etura për shërbimet e tij në mbarë kontinentin, njëri prej të cilëve është edhe Manchester United, skuadër për të cilën De Ligt ka shprehur pëlqimin e tij nëse do t’i jepej mundësia të transferohej në Angli, sipas tabloidit “The Telegraph”.

Gjithsesi, edhe këtu ka një pengesë të madhe, pasi mospjesëmarrja e United në Champions vitin e ardhshëm bën që të ulen pretendimet dhe De Ligt kërkon të luftojë për trofe të rëndësishëm. Pikërisht këtu futen emra të rinj, si Manchester City, Juventus apo Bayern Munchen. Barça gjithsesi mund të kënaqet me nënshkrimin me një tjetër talent holandez, Frenkie De Jong.