Rada Trajkoviq po përpiqet të prezantohet në opinion si kundërshtare e regjimit të Beogradit dhe kundërshtare e ndarjes së Kosovës. Njëkohësisht ajo preferon një «konflikt të ngrirë» në Kosovë. Për terrorin serb të viteve ’90 ajo s’thotë gjë. Kosovën nuk e pranon si shtet. Krimet serbe mbi shqiptarët i minimizon dhe relativizon. Cili është dallimi i saj me eksponentët e Aleksandër Vuçiqit?

Nga Enver Robelli/

Rada Trajkoviq është mjaft e zëshme në kundërshtimin e projektit të Aleksandër Vuçiqit për ndarjen e Kosovës. Ajo flet për televizione, gazeta e revista, ankohet se regjimi i Vuçiqit po e kërcënon, po e njollos me fushata mediale, duke e akuzuar si bashkëpunëtore të Prishtinës sidomos në përpjekjet e drejtësisë kosovare për zbulimin e vrasëseve të Oliver Ivanoviqit. Trajkoviq thotë se projekti i Vuçiqit, të cilit i është bashkuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i dëmton serbët e Kosovës, sepse shumica e tyre nuk jetojnë në veri, por në pjesë të tjera të Kosovës.

Ajo përkujton se vitin e kaluar Vuçiq dhe Thaçi kishin përgatitur një shpërthim të kontrolluar të gjendjes në veri. Ky eskalim, sipas saj, do të ishte një alibi e shkëlqyeshme për realizimin e planit për ndryshmin e kufijve të Kosovës. Planin e Vuçiqit dhe Thaçit për shkaktimin e tensioneve në veri e zbuluan dinjitarët e Kishës Ortodokse Serbe, Teodosije dhe Sava Janjiq, thotë Trajkoviq. Ajo po ashtu nënvizon se Thaçi duke u bërë pjesë e projekteve për «korrigjimin e kufijve» të Kosovës shpreson të shpëtojë nga telashet që i kërcënohen nga Gjykata Speciale.

Shumëçka që thotë Trajkoviq mund të jetë e saktë. Por cila është zgjidhja që ofron ajo? Në një intervistë me revistën boshnjake «Dani» Trajkoviq nuk ka përgjigje. Ndonëse gazetarja insiston disa herë, Trajkoviq nuk përgjigjet, por lë të kuptohet se preferon një konflikt të ngrirë. Sipas saj me rëndësi është të stabilizohet Bosnja dhe të kuptohet se Vuçiq dhe Thaçi nuk mund ta zgjidhin konfliktin e Kosovës. Kjo është detyrë për liderë të tjerë, thotë ajo.

Trajkoviq askund nuk e pranon se Kosova është e pavarur. Ajo sillet sikur Kosova ende është në vitet ’90, kur Trajkoviq punonte mjeke në Spitalin e Prishtinës (sot i njohur si QKUK), kur villte helm kundër shqiptarëve, kur si anëtare e Partisë Radikale të Vojisllav Sheshelit i përkiste brigadës së serbëve të Kosovës që shqiptarët i shihnin si qytetarë të rendit të dytë. Trajkoviq nuk shpreh keqardhje për aparteidin serb në vitet ’90, nuk shpreh keqardhje për viktimat civile të shkaktuara nga regjimi serb.

Kësisoj kërkesa e saj për dënimin e krimeve të luftës që ndaj pakicës serbe mund të ketë shkaktuar ndonjë prijës i UÇK-së shpalos mentalitetin e saj të rrezikshëm: krime ka bërë vetëm pala tjetër. Por në rastin e Kosovës nuk ka dilemë se kush ka qenë agresori dhe kush viktima. Që ndonjë pjesëtar i palës së terrorizuar ka mund të kryejë krime lufte, është për keqardhje dhe duhet të dënohet. Një gjë duhet ta ketë të qartë Rada Trajkoviq: nuk mund të ketë barazim të krimeve.

Trajkoviq tani thotë se serbët e Kosovës duhet të jetojnë bashkë me shqiptarët. Por në çka? Në shtetin e pavarur apo në një diçka të ngrirë? Vetë Trajkoviq ka qenë ithtare e ndarjes së brendshme të Kosovës. Kur UÇK u transformua në TMK, ajo braktisi Këshillin Transitor të themeluar nga UNMIK-u dhe kërkoi themelimin e pesë kantoneve serbe, të cilat do të kishin trupat e tyre mbrojtëse. Këto kantone, sipas Rada Trajkoviqit, do të duhej të themeloheshin nga pjesët e territorit të Prishtinës, qyteteve të Mitrovicës, Gjilanit, Pejës dhe Maleve të Sharrit. Si më 1999 edhe më 2019 Rada Trajkoviq mbetet e ngrirë në të kaluarën e errët. Nëse për terrorin serb të viteve ’90 ajo s’thotë gjë, nëse Kosovën nuk e pranon si shtet, nëse krimet serbe mbi shqiptarët i minimizon dhe relativizon, atëherë cili është dallimi i saj me eksponentët e Aleksandër Vuçiqit?