Qendra shëndetësore e bashkisë së Këlcyrës tashmë ka një autoambulancë të re. Mjeti që do vijë në ndihmë të komunitetit, u dhurua me kërkesë të Prefektit të qarkut Astrit Aliaj, nga Presidenti i Organizatës Ndërkombëtare të Asistencës Publike Humanitas, Itali, Roberto Schiavone.

Prefekti Aliaj priti ditën e sotme në një takim presidentin e Organizatës Ndërkombëtare të Asistencës Publike Humanitas, Itali, Roberto Schiavone, Drejtorin e Përgjithshëm të Universitetit të Lirë Popullor Humanitas Luigi Garbo Sorrento dhe Konsullin e Nderit të Italisë në Gjirokastër Teodor Bilushi.

Ai shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për kontributin e çmuar të Roberto Schiavone, i cili me këtë akt tregoi se duhet të forcohet solidariteti, bashkëpunimi midis njerëzve dhe popujve duke vënë në themel humanizmin njerëzor.

Nga ana e presidentit të Organizatës Ndërkombëtare Humanitas u vlerësua mikpritja dhe u shpreh se ky mision humanitar nuk do të jetë i fundit që po kryejmë në Shqipëri, por do të vijojmë me projekte të reja humanitare në shërbim të komunitetit shqiptar.

Në përfundim të këtij takimi u nënshkrua akti i dhurimit nga dr. prof. Roberto Schiavone dhe prefekti i Qarkut Gjirokastër Astrit Aliaj për autoambulancën.