Paris SG bëhet klubi i partë i futbollit që krijon kriptovalutën e tij. Gjithçka ndodhi pas arritjes së një marrëveshjeje të kampionëve me platformën “socios.com” gjatë kësaj jave.

Monedha e re virtuale e klubit parizien, vlera e të cilit nuk bëhet e ditur, do t’u japë mundësi tifozëve të Parisit të marrin pjesë në vendimet e klubit nëpërmjet sondazheve që do të organizohen në telefonët celularë.

Me kalimin e kohës, ata do të përfitojnë privilegje të tjera, si shpërblimet apo eksperiencat eksluzive në klub.

Anëtarët e klubit do të regjistrohen në strategjinë globale të klubit, për të pasur ndërveprim më të mirë me tifozët, por edhe për aktivitetet komerciale. Falë kësaj platforme, transaksionet do të jenë të gjitha digjitale, të sigurta dhe transparente, e sidomos të lidhura me eksperiencat reale të tifozëve, shkruan “TCH”.

“Paris Saint Germain është i vendosur që të shfrytëzojë mundësitë e ofruara nga kriptovalutat, – tha drejtori i sektorit të sponsorizimit të PSG-së, Marc Armstrong. – Kjo teknologji revolucionare do të ketë një impakt të rëndësishëm në strategjinë komerciale globale të klubit dhe në ndërveprimin me tifozët tanë”.

Edhe platforma “socios.com” do të ketë përfitimet e saj nga kjo marrëveshje. Kështu, ajo do të reklamohet në stadium, televizion dhe në mediet digjitale, pa harruar këtu edhe fushatat e tjera që do të derivojnë nga kontaktet e saj me tifozët.