Përveç numrit të lartë të molotovëve, një tjetër risi e protestës së sotme të Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, ka qenë sa e dhimbshme, aq dhe e papritur: sulmi mbi mediat.

Në episodin e parë, pesë apo gjashtë persona të maskuar, nga ata që hidhnin molotovë në drejtim të Parlamentit, i janë turrur një grupi kameramanësh që ishin duke ndjekur protestën dhe transmetuar live. Njëri prej tyre (nga ABC NEWS) është goditur fizikisht, ndërkohë që i kanë rrëmbyer kamerën, dhe ia kanë thyer. Për afro një orë, kjo gjë ka penguar transmetimet normale nga vendngjarja, për televizionin në fjalë.

Në një tjetër episod, disa protestues i janë sulur duke goditur dhe më pas kanë penguar makinën e TV Report, ku gazetarët e saj po shkonin për të raportuar nga Drejtoria e Policisë. Makina e ka patur të shkruar qartë logon e televizionit në fjalë.

Nga ana tjetër TCH njofton se “Protestuesit me maska të zeza dhe një prej tyre me kundragaz të vënë në fytyrë vrapojnë drejt kameramanit Eno Xhaja”.

Ndërkohë që dhuna ka qenë një konstante e protestave të Lulzim Bashës gjatë muajve të fundit, kjo kundër mediave ka ndodhur sot për herë të parë. Dhe arsye duhet kërkuar tek tkurrja e protestës, dhe pafuqia që reflektohet, e cila simbolikisht nis tek zëri i shuar i kryetarit dhe përfundon tek rënia e ndjeshme e numrit të ndjekësve.

Sepse një tjetër veçori. E protestave të Lulzim Bashës, është që numri i njerëzve të pranishëm në protestave është në përpjestim të zhdrejtë me dhunën që ushtrohet mbi institucionet. Sa më shumë që bie numri, aq më shumë shtohen molotovët dhe zjarvënia. Dhe faji i mediave të sulmuara sot, është se përcjellin me besnikëri këtë të vërtetë të hidhur për “revolucionin” që nuk ndodhi dhe u shua pa nisur…/Lexo.al