Nga Ben Andoni/

Ka një pyetje që rri përpara publikut dhe ajo lidhet realisht me një fakt të dhimbshëm, të cilin z. Tritan Shehu e ka kapur me shumë finesë. Demokracia nuk erdhi nga Blloku. Ashtu si modernia, mëtojnë shumë përfaqësues të saj, nuk ishte aty. Prej atje na erdhën një tufë njerëzish të përkëdhelur, mësuar gjithnjë me privilegje dhe madje të fryra edhe më shumë pas viteve të Demokracisë. Është e vërtetë se një pjesë e tyre u persekutuan dhe madje edhe mbajtën qëndrime shumë të mira në burg, por kjo nuk mund të identifikojë të mirën e Bllokut. Demokracia në Shqipëri nuk erdhi nga ai Bllok: ajo erdhi nga konjukturat e kohës dhe trendi i pakthyeshëm i bjerrjes së sistemit komunist, u ndihmua nga gjendja social-ekonomike e vendit, me sakrificat e martirizimin e atyre që vuajtën më shumë nga ai Bllok, mbi lëvizjen e madhe studentore, universitare, popullore të viteve 1990, që u ngrit pikërisht për ta përmbysur atë Bllok. Le ta lemë atë Bllok në tragjizmin e tij pa tentuar ta retushojmë, por duke mos harruar çfarë fatkeqësish i solli e vazhdon t’i sjellë ai gjeneratave të tëra te ne”, shkruan Shehu. Në fakt, vërejtja e tij, e bërë me elegancë pak ditë më parë u përcoll në aspektin politik si një përçarje e re te PD, duke ia kundërvënë qëndrimeve të Berishës për emfazën e këtij të fundit ndaj librit dhe autorit të vet. Shqetësues është ngazëllimi për marketingun e të tillë librave dhe për një brez të ri gazetarësh që nuk e kanë njohur Bllokun, apo për mënyrën sesi po e fryjnë regjimin pinjollët e atij vendi, që i ka dhënë emrin gati një kaste ogurzezë, pjellë prej andej. Është e vërtetë se prej atij vendi me pak përjashtime pati edhe pak përvoja pozitive, veçse tiranasit e vërtetë ata që e kishin përditë Bllokun do mbajnë mënd arrogancën e pinjollëve të saj, cinizmin dhe luksin e pafre kundrejt shokëve të tyre që i shihnin nga poshtë lart…

Më tragjike është ajo që po bëhet sot si angazhim për persekutimin dhe që nuk ngjall fare impakt, megjithë punën e madhe të një Institucioni për Krimet e Komunizmit, Autoritetit të Dosjeve, Shoqatave dhe dëshmive të ndryshme. Janë ende mijëra të zhdukur dhe pa varr, janë ende qindra histori të panjohura që të gjitha tregojnë shpirtin e vërtetë të këtij populli, por gati edhe një persekutim monstruoz. Por për këtë mezi gjenden ndonjëherë paratë për dokumentarë, që harrohen sa shfaqen për shkak të karakterit patetik dhe që nuk përcjellin asfare impakt në një publik, që duket se është më i etur për të dëgjuar për Bllokun dhe komunizmin sesa për realitetin e asaj kohe.

Të jetë paradoks kjo nuk mund të thuhet por ndërkohë ajo që shqetëson realisht njerëzit është se çfarë modeli duhet t’u jepet për të parë të shkuarën e tyre dhe sesi mund të përcillet ai, në mënyrë që të mos harrohet. Fatkeqësisht modelet që jepen dhe që përcillen prej njerëzve që kishin lidhje me Bllokun sot nuk lënë shumë shteg për zhvillime ndërsa është për të ardhur keq se mënyra e vagullt sesi përcillet e shkuara lënë shumë shtigje për interpretime jo të mira. Kjo ka bërë që të fryhen personazhe kontributi i të cilëve apo modelet njerëzore që kanë dhënë nuk ishin aspak frymëzues, teksa janë sfumuar realisht veprime, akte dhe personazhe që kanë dhënë për vendin modele të jashtëzakonshme atdhedashurie, qoftë edhe pa qenë mirëfilli në burg apo të privuar.

E gjithsesi mëndja dhe kujtesa të shkon te shumë të sakrifikuar që megjithëse mund të jenë dënuar me të gjithë të drejtën e legjislacionit të asaj kohe ata çuditërisht nuk paraqesin asesi impakt për qëndrimet e tyre vetëmohuese dhe një rrugë të paepur që ndoqën dhe që e dinin se me shumë gjasa do t’i përçonte në ferr. Të vjen keq që nuk prodhojmë dot filma ikonë për atë kohë, të vjen keq sesi nuk mund të bëjmë shumë për gjëra që të sjellin ndërmend gabimet tona. Dhe, ja, që ia beh ndonjë gjë për Bllokun dhe historitë e tyre dhe gjithçka që lidhet me ta harrohet krejtësisht. Nuk duhet të harrojmë se pa njohur të shkuarën nuk mund të bësh asgjë për të ardhmen, por duhet të përcaktojmë realisht se çfarë na duhet dhe duket se kjo është e pamjaftë në atë mori organizimesh e kakofonish që më shumë luftojnë të marrin fonde dhe të bëjnë zhurmë, sesa të zbulojnë vlera. Dhe, kështu ndodh që “njohja” e Bllokut dhe risitë për të na e bëjnë më të saktë por nga ana tjetër edhe na detyron, që të kujtohemi se ata ishin qendra e vendit, kurse të gjithë të tjerët aksesorë të panevojshëm të një regjimi, që nuk falte.(Milosao)