Nga Alfred Peza/

Nga moment i fillimit të protestës së studentëve në fillim të dhjetorit e deri më sot, dallohet gjithnjë e më qartë, një diferencë e thellë mes zhurmës që bën LSI dhe asaj që bën PD rreth saj. Diferenca mes Monika Kryemadhit dhe Lulzim Bashës. Mes Ilir Metës dhe Sali Berishës. Mes selisë së kuqe dhe selisë blu.

E çuditshme është sesi në gjithë këtë qasje të re, të padalluar më parë që pas 2017 kur krijuan “opozitën e bashkuar”, duket sikur të dyja partitë kryesore opozitare kanë bërë rrokadë me njëra tjetrën, duke ndryshuar kryekëput rolet dhe pozicionet në skakierën politike shqiptare.

Eshtë ndoshta për këtë arësye, se përse Lëvizja Socialiste për Integrim sillet këto ditë sikur të ishte Partia Demokratike. Monika Kryemadhi sikur të ishte Lulzim Basha. Ilir Meta sikur të ishte Sali Berisha dikur President. Ndërkohë që militantët e LSI, sillen nëpër protestat në rrugë, si dikur militantët e Partisë Demokratike.

Çfarë ka ndodhur? Mos LSI tani është bërë parti më e madhe, duke i zënë vendin PD në listën e rankimit sipas mbështetjes që gëzojnë partitë politike në Shqipëri, tek elektorati? Përgjigja është: Jo. Sepse nuk ka ndonjë indikator konkret që ta mbështesi këtë tezë. Duhet të presim rezultatin e zgjedhjeve të 30 qershorit, që të mund ta shohim për herë të parë këtë.

Atëherë, pse bën kaq shumë zhurmë LSI, aq sa e ka bërë PD që të duket një parti hije e vetëvetes, në raport me specialitetin e saj të këtyre 30 viteve; institcionin e protestës? Pse Monika Kryemadhi po i jep kaq shumë zë protestës, aq sa e ka bërë Lulzim Bashën që të duket më në “gjumë” se më parë, në raport me stilin e lidershipit të tij opozitar?

A lidhet i gjithë ky hiperaktivitet me specifikën e përbërjes sturkutore e organizative të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që e ka bazuar anëtarësinë më së shumti tek të rinjtë e shkollave të mesme dhe universiteteve? Apo e anasjellta është e vërtetë: Kjo mënyrë të funksionuari dhe të ekzistuari në skenën politike shqiptare, ka qenë një strategji e LSI për ta përdorur atë, për një “ditë të zezë” si kjo? E për ta shitur më pas protestën e anëtarëve të strukturave të veta, si protestën e gjithë studentëve dhe universiteteve të Shqipërisë?

Po Partia Demokratike ku i ka të rinjtë e saj, nëse kjo është kështu, mund të pyesin demokratët më të rritur në moshë? A ka FRPD ndonjë anëtar, militant dhe mbështetës nëpër shkollat e larta të vendit? Pse nuk ndihet zëri i asnjërës prej forumeve dhe strukturave të PD, ashtu siç zhurmon dhe shkumëzon gjithë tërsëllimë që në orët e para të 2019, Lëvizja Socialiste për Integrim?

Çfarë halli më të madh ka LSI këtë vit, në raport me veten dhe me PD, që nuk i dha mundësi anëtarëve që ti gëzonin e shijonin si çdo herë tjetër Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, por gjatë gjithë kohës ka folur me ta, vetëm e vetëm për protesta “studentore”?! A po i afrohet pas 7 janarit studentëve të vërtetë që protestuan në dhjetor, një “Kalë Troje” si dhuratë për ti marë jo vetëm kauzën por edhe simpatinë e shoqërisë shqiptare, që e mbështeti pa rezerva?

A është zhurma, lufta, përpjekja dhe gjithçka tjetër e LSI një aksion për të rrëzuar vërtetë Edi Ramën dhe qeverinë e tij, apo një manovër për të marë lidershipin e opozitës, në mënyrë që gjatë hartimit të listave për kandidatët për kryetarë të 61 bashkive të vendit, të mari në tavolinë më shumë zona bosh sesa mund ti takojnë sipas formulave që zbatohen rëndom në të tilla raste? Pas ikjes nga pushteti qëndror, a rrezikon LSI të mos fitojë bashkitë që drejton sot, duke rrezikuar edhe ekzistencën e vet në skenën politike shqiptare?

Sebepi i zhurmës më të madhe të LSI në raport me PD, mund të lidhet ose me ndonjërën, ose me disa, ose me të gjitha nga pak këto arësye që u përmendën këtu. Sikundër shkaku i vërtetë mund të lidhet edhe me reformën në drejtësi, me zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm të përhershën, me krijimin e SPAK dhe BKH. Hall të cilin e ka jo vetëm LSI, por edhe PD vetë, siç e ka e gjithë elita politike e këtyre 30 viteve të fundit në Shqipëri?

Pavarësisht të gjithave, herët ose vonë, brenda 2019 gjithkush do ta mësojë se ku fshihej “lepuri” i vërtetë i hallit të këtyre ditëve të opozitës sonë. E sigurtë deri tani është vetëm një gjë: Ajo nuk ka asnjë lidhje me hallin e studentëve të vërtetë dhe protestës së tyre në dhjetor!

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here