Nga Mero Baze/

Një nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, pronë e një prej fondeve më të mëdha amerikane me qendër në Nju Jork, NCH, është vënë prej kohësh nën sulme politike, fillimisht pse në bordin e saj për tri vite ka qenë anëtare Linda Rama, gruaja e Edi Ramës. Zonja Rama ka qenë një prej shtatë anëtarëve të Bordit, si anëtare e pavarur, ku të tjerët janë po ashtu personalitete të fushës së financave në botë, nga Gjermania në SHBA, mes të cilëve dhe bankieri më i suksesshëm shqiptaro- amerikan, Riçard Lukaj, që në një të shkuar të tij ka qenë një mbështetës tradicional i PD-së dhe Berishës.

Për çudi, këtë vit që zonja Rama nuk është më anëtare Bordi, sulmet u shtuan dhe më tepër, duke e shfrenuar fantazinë, dhe duke konsideruar pronarët e saj, që janë pjesë e një prej fondeve më të mëdha financiare në botë, si njerëz anonimë, pasi kanë regjistruar në një offshore, selinë e kompanisë, si shumica e koorporatave që duan të jenë të privilegjuara në taksa.

Banka ka injoruar sulmet për një kohë të gjatë, duke i konsideruar ato luftë politike, dhe vazhdon këtë praktikë.

Por sulmet e këtij fillim viti, duket se janë një përzierje e politikës gjobëvënse të opozitës, dhe konkurrencës së pandershem në treg, për të cilën nuk është pa faj dhe Banka e Shqipërisë.

Duke qenë se tregu bankar është një treg i rregulluar dhe transparenca duhet të jetë kriter kryesor, kur ndaj një Banke të nivelit të dytë bëhen sulme të pista, ndoshta nga konkurrentë të saj, dhe kur i referohen përgjegjësisë që duhet të ketë Banka Qëndrore, kjo e fundit e ka detyrë të shprehet, për të mos krijuar hapësirë për spekulime.

Nuk them t’i përgjigjet Petrit Vasilit, se ai mërzitet pse Banka nuk merr me qira lokalin e tij, por t’i përgjigjet atyre spekulimeve që flasin për aksionerët e Bankës që janë aq të identifikueshëm dhe aq të njohur nga shteti amerikan, sa Banka Qendrore me siguri e di mirë, pasi është përballur me interesin e tyre.

Gjobëvënia e opozitës ndaj çdo biznesi që mendon se nuk e ka nën kontroll, po kthehet në një fenomen të shëmtuar, që ka infektuar gjithë piramidën opozitare.

Lulzim Basha i vë gjobë çdo biznesi që mendon se duhet të paguajë dhe për opozitën, dhe në disa raste ka sukses, pasi ata i gjunjëzohen, dhe ai nuk flet më për ta.

Pastaj vazhdon LSI, pastaj portalet e tyre dhe disa oligarkëve, që i kanë ato si pushkë qorre.

Por në rastin konkret, ajo që është e qartë, duket se ka të bëjë me shpikjen e një lidhje mes “Abi Bank” dhe Linda Ramës, që në fakt ka qenë për aq kohë sa ka qenë, thjesht lidhje profesionale si anëtare e Bordit të Bankës, dhe të gjithë e dinë që të jesh anëtar i pavarur Bordi, siç ka qenë Linda Rama, pikë së pari nuk mund të jesh pronar.

Këtu ka banka që kanë pasur dhe familjarë politikanësh pronarë, dhe nuk janë paragjykuar.

Vazhdimi i kësaj historie duket se u ka dalë nga kontrolli dhe atyre që e kanë nisur. Disa e kanë nisur si sulm ndaj “Abi Bank”, duke përmendur Linda Ramën, dhe disa e kanë nisur si sulm ndaj Linda Ramës, duke përmendur “Abi Bank”, dhe tani askush nuk di të thotë çfarë problemi ka Linda Rama që nuk është grua shtëpiake, por profesioniste, dhe çfarë problemi ka “Abi Bank” që i ka aksionerët në Nju Jork me nga 400 apo 600 milionë dollarë pasuri .

Në këtë histori, as “Abi Bank” nuk ka çfarë të sqarojë, pasi i ka letrat publike, dhe as Linda Rama. Por guvernatori Sejko padiskutim që duhet t’i dalë zot punës së tij, pasi është guvernator për të mbrojtur sistemin bankar, pasi heshtja e bën palë jo vetëm në problemet brenda sistemit bankar, por dhe në sulmet politike ndaj Bankës.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedIn