Nga Ardit Rada

Tre figurat qendrore të Partisë Socialiste kanë marrë përsipër të menaxhojnë 12 qarqet e vendit sa i përket koordinimit politik. Bëhet fjalë për Edi Ramën, Gramoz Ruçin dhe Taulant Ballën të cilët do të drejtojnë nga katër qarqe secili. JavaNews.al mëson se një nga vendimet e ‘kupolës’ së mazhorancës ditën e sotme ka qenë edhe ndarja e rajoneve si dhe caktimi i drejtuesve të tyre.

Kështu, Edi Rama do të drejtojë rajonin Lezhë-Shkodër-Dibër-Kukës. Kjo ‘detyrë’ vjen pas fitores së të gjitha bashkive më 30 Qershor. Ndërkohë, burime për JavaNews.al bëjnë të ditur se Shqipëria e Mesme i është besuar Taulant Ballës. Numri dy i PS do të koordinojë qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Korçë. Fuqishëm në bazë rikthehet edhe Gramoz Ruçi. Kryetari i Kuvendit, shkruan JavaNews.al, do të jetë koordinatori rajonal i Fierit, Beratit, Vlorës dhe Gjirokastrës.

Ditën e sotme kryeministri Edi Rama mblodhi Kryesinë e Partisë Socialiste ndërsa më 22 korrik pritet mbledhja e Asamblesë. Në këtë të fundit priten jo pak surpriza, edhe pse Rama nuk pranoi të komentonte për ndryshime të mundshme në qeveri. Gjithësesi kreu i PS la të nënkuptohet se përcaktimi për lëvizjet e mundshme është realizimi i detyrave.

/JavaNews.al