Nga Alfred Peza/

Ka ndodhur diçka shumë interesante me protestën e studentëve, e cila përveç të tjerash, shërbeu edhe si ajo pasqyra magjike e përrallave, ku gjithkush pa të projektuar në përfundim të saj, pamjen që donte të shihte vetë të realizuar në të ardhmen.

Pamje në formën e dëshirave të paplotësuara pas 1990 në Shqipëri, të cilat shumëkujt iu duk se mund të arriheshin që të zgjidheshin, nëpërmjet magjisë së atyre ditëve, kur studentët e vërtetë dolën masivisht në rrugë, për zgjidhjen e kërkesave të tyre të drejta dhe adresimin e halleve të tyre reale.

Përtej shumë aspekte jashtëzakonisht pozitive me pamje “Borëbardhe” që solli protesta, u panë të projektoheshin në këtë pasqyrë, edhe shumë ëndrra prej “Shtrige”:

Opozita jonë pa në të, mundësinë e artë që nëpërmjet saj, të rrëzonte Edi Ramën dhe PS nga pushteti dhe ta çonin vendin drejt zgjedhjeve të parakohëshme, për tu rikthyer vetë në pushtet, një minutë e më parë.

Shoqëria civile pa në të, pamundësinë e saj për të realizuar të njëjtën gjë si rinia universitare, duke sensibilizuar shoqërinë për problemet e saj.

Mediat panë në të, shkopin magjik jo vetëm për rritjen e audiencave televizive apo për ca klikime më shumë në internet, por edhe momentin për tu pozicionuar më hapur sipas preferencave politike: Kundër, apo pro qeverisë!

Analistët gjetën më në fund dorezën e artë për të goditur sipas pozicionimeve të afishuara tashmë publikisht, atë që kanë patur gjithmonë përballë në ringun e debatit mediatik. Të sigurtë se këtë radhë kishin si rrallëherë në shumë vjet, vëmendjen maksimale të një numri rekord spektatorësh dhe telespektatorësh që kërkonin të kuptonin se çfarë po ndodhte.

Të pakënaqurit për njëmijë e një arësye me mazhorancën, qeverinë apo me Edi Ramën, ia gjetën më në fund atyre edhe “hundëleshin e merituar” dhe mezi prisnin që ta shihnin njëherë poshtë, pa le të bëhej qameti pas kësaj.

Meritokratët panë të mishëruar tek protesta e studentëve, gjithë projeksionin e tyre gjigand të një Shqipërie ideale dhe mezi çprisnin që shumëçka të niste e të vihej në vijë për tu rregulluar sa hap e mbyll sytë.

Shkërdhatokratët si në çdo kohë e në çdo stinë, si në çdo regjim dhe nën çdo mazhorancë e qeveri, pavarësisht se kanë qenë gjithmonë përfituesit më pa meritë të gjithçkaje kanë dashur e ëndërruar, nxituan që ti fusin shkelmin e fundit në çdo tavolinë të mundshme, atyre që u ishin bërë urë e u ishin lëpirë siç dinë veç ata dhe nxituan që të hidhen në anën tjetër, gati për të mirëpritur të parët, fitimtarët e radhës.

“Të pavarurit” e kësaj kohe, nxituan që të heqin maskën, për tu rikthyer në identitet, në pritje të ardhjes më në fund të ditës së tyre të vërtetë.

Endërrimtarët e pafajshëm dhe delirantët e pandreqshëm, panë tek protesta e studentëve, mundësinë e tyre të artë, për të marë më në fund, hakun që ua kishin ngrënë padrejtësisht deri atë kohë. Duke bërë gati kostumin më të mirë dhe fjalimin e pambajtur, pasi të ishin ngjitur shpejt në majën e skenës se re politike shqiptare, në vend të Edi Ramës, Lulzim Bashës, Monika Kryemadhi, Sali Berishës, Ilir Metës dhe kujtdo tjetri, që ka pushtetin që ata besojnë se realisht zotërojnë.

Të gjitha kategoritë e tjera, panë e çfarë nuk panë, po shyqyr që shumicën e atyre që menduan dhe besuan, nuk e thanë me zë shumë të lartë, sepse erdhi janari dhe bashkë me gjithçka tjetër, “ngrinë” edhe ëndrrat e tyre. Endrra që nuk u kanë shkuar të gjitha dëm, ndaj le ti ruajnë, për një moment tjetër.

Ndoshta kanë qenë këto arësyet, se përse pas dorëzimit dhe plotësimit të 8 kërkesave të studentëve, nisi edhe loja kombëtare e kungulleshkave:

Sa kërkesa ishin? 8-të! Po pse 8-të? Po sa? 9-ntë? Po pse 9-ntë? Po sa…

Gjithkush sipas hallit dhe ëndrrës personale, kudo ku kishte mundësi, përveç kërkesave të studentëve shprehte dhe vazhdon të deklarojnë edhe dëshirat e tyre, si halle kombëtare. Duke i dhënë atyre formën e gështenjave të pjekura ndanë zjarrit të dimrit plak, të cilat donin që ti nxirrnin, sigurisht… me duart e studentëve!

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here