Ish-deputetja e LSI-së Kejdi Mehmetaj thotë se një prej arsyeve për zhvendosjen e orës së protestave opozitare gjatë pasdites është edhe evitimi i arrestimeve masive.

Mehemtaj u shpreh gjatë intervistës në RTV Ora, se një arsye është edhe rritja e temperaturave gjatë ditës, por shtoi se në protestat e mëparshme janë kryer arrestime masive.

Duket se errësira në këtë rast vështirëson identifikimin e protestuesve nga forcat e rendit që shpesh janë parë të monitorojnë protestën me kamera nga disa kënde.

Ish-deputetja Mehmetaj tha se protesta e 13 prillit do të jetë masive.

“Do të protestojnë në bulevard përballë Kryeministrisë, për të gjitha problemet në Shqipëri. Por në të njëjtën kohë protestat janë të përditshme.

Studentë, grupe të ndryshme interesi, protesta e transportit publik, por protesta masive pritet të jetë ajo e datës 13 prill.

Protesta udhëhiqet nga qytetarët, janë ata të cilët vendosin për skenarin, për kohëzgjatjen.

Është vendosur po në orën 18:00, kjo për disa arsye, edhe për shkak të temperaturave.

Pjesëmarrja e qytetarëve në protesta është kthyer në burim arrestimesh të shumta, në shumë raste edhe pa arsye fare.

Shoqërohen shumë të rinj, nuk mbahet shënim asgjë, intimidohen. Pra besoj që ky do jetë një moment i përshtatshëm për t’u mbledhur”, tha ndër të tjera Mehmetaj.