Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar përmes një statusi në “Facebook” ndaj vendimit të marrë nga Policia e shtetit për ndalimin e 32 militantëve të PD-së për shkak të goditjes me sende të forta ndaj forcave të rendit që u pasqyrua në media.

Pavarësisht publikimit në media me video ku transmetoheshin momentet e goditjes me gurë të efektivëve nga militantët, Basha ka dalë në krah këtyre të fundit duke e cilësuar si të padrejtë vendimin e marrë nga Policia.

Shefi i opozitës ka vijuar edhe retorikën e tij ndaj Ramës ku shkruan se qeverisë së tij po i vjen fundi.

Postimi i plotë:
Asnjë procedim penal nuk e ndal Partinë Demokratike dhe qytetarët për të përmbushur misionin tonë për Shqipërinë si gjithë Europa.
Përdorimi i militantëve dhe ushtarëve të krimit në Polici për të goditur qytetarët dhe kundërshtarin politik është tipari më i qartë i këtij regjimi kriminal: Edi Rama ka ardhur në pushtet me ndihmën e bandave dhe ka zgjedhur të jetë me bandat kundër popullit.
Të gjithë bandat, ajo në qeveri dhe ato në rrugë do të dalin para drejtësisë!
Unë dhe Partia Demokratike jemi të vendosur të mbrojmë me çdo mjet të drejtën për të protestuar, të drejtë që e fituam pas 46 vitesh të diktaturës më të përgjakshme në Europë!
Numërimi mbrapsht për Edi Ramën dhe bandën në pushtet ka nisur! #ShqiperiaSiEuropa. (Lexo.al)