“Komisioni Europian në progres-raport thekson se Shqipëria ka përgjithësisht një përgatitje të procedurave të prokurimit publik dhe planifikimit të tyre në mënyrë transparente dhe në përputhje të parimeve të efikasitetit”.

Kështu deklaroi në studion e ERTV-së, drejtorja e Agjencisë së Prokurimeve Publike, Reida Kashta, sipas së cilës, KE veçoi sistemin elektronik të prokurimeve publike në Shqipëri, si mekanizëm të garantimit të transparencës në proces.

“Për ta faktuar këtë, komisioni thekson që të gjitha procedurat e prokurimit publik kryhen nëpërmjet sistemit elektronik të prokurimeve publike. Komisioni gjithashtu thekson që planifikimi i këtyre procedurave, pra rregjistri i parashikimeve të procedurave të prokurimit publik, publikohet në sistemin elektronik. Kjo përforcon edhe më tej nivelin e transparencës së këtij sistemi, duke ju dhënë mundësi të gjithë operatorëve ekonomikë apo çdokujt tjetër, që të njihen me këtë proces”, tha Kashta.

Gjithashtu, sipas saj, progres raporti i KE vlerëson se Shqipëria ka një ngritje të kapaciteteve të agjencisë së prokurimit publik, si në ushtrimin e funksioneve të veta, ashtu edhe në numrin e punonjësve të agjencisë.

“Së fundmi ligji ka ndryshuar dhe në fillim të këtij viti ka hyrë në fuqi një ndryshim i rëndësishëm sa i përket detyrimit të operatorëve ekonomikë që të deklarojnë nëse kanë qënë të dënuar penalisht jo vetëm si subjekt juridik, por edhe përfaqësuesit e tyre si individë në kuptimin e ortakëve, administratorëve apo personave të tjerë me rol vendimarrës në subjektin juridik. Në vijim të këtyre ndryshimeve, këta operatorë do të ndalohen të marin fondet publike nëse rezultojnë të dënuar për një listë veprash penale ku kryesoret janë ato të krimit të organizuar, korrupsionit apo lëndëve narkotike”.

“Sa i përket kuadrit institucional, edhe këtu progres-raporti ka shprehur në mënyrë të qartë që ka një ngritje të kapaciteteve të agjencisë së prokurimit publik, si në ushtrimin e funksioneve të veta, ashtu edhe në numrin e punonjësve të agjencisë. Pra vlerësimi i përgjithshëm i BE është që kemi një kuadër institucional efektiv dhe të plotë, sigurisht me nevojën e vazhdueshme për ngritjen e kapaciteteve të administrates”, shtoi drejtuesja e APP-së.