Qeveria miratoi sot vendimin për shpronësimin, marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurive të paluajtshme që preken nga projekti “Ndërtimi i pritave të cilat pengojnë vërshimin e lumenjve dhe sigurojnë mbrojtjen e tubacionit, pjesë e projektit të Gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (projekti TAP)”, në zonat Berat, Skrapar dhe Fier.

Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, shpronësimi, marrja në përdorim të përkohshëm dhe vendosja e përhershme e kalimit mbi këto pasuri bëhen në favor të shtetit, përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Pronarët e pasurive të paluajtshme kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, me një vlerë të përgjithshme prej 16 765 938,62 lekë, për sipërfaqet:

a) 15 320 (pesëmbëdhjetë mijë e treqind e njëzet) m² që shpronësohet;
b) 32 687 (tridhjetë e dy mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e shtatë) m² që merret në përdorim të përkohshëm;
c) 574 (pesëqind e shtatëdhjetë e katër) m² mbi të cilën vendoset servituti.

Marrja në përdorim të përkohshëm për pasuritë e paluajtshme, pronë private, është me afat 1 (një) vit, për zonat e nevojshme për realizimin e punimeve, për ndërtimin e pritave të cilat pengojnë vërshimin e lumenjve dhe sigurojnë mbrojtjen e tubacionit

Për likuidimin për efekt të shpronësimit, marrjes në përdorim të përkohshëm dhe vendosjes së servitutit mbi pasuritë e pronarëve të përcaktuar do të procedohet, si më poshtë vijon:

a) Për të gjitha pasuritë, për të cilat në kolonën përkatëse është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP”, pronarët do të likuidohen pas dorëzimit të dokumentacionit të pronësisë, të lëshuar nga ZVRPP-të përkatëse, kërkesë, kopjen e kartës së identitetit, si dhe vërtetim mbi numrin e llogarisë të lëshuar nga bankat përkatëse / IBAN-in, në zyrat e shoqërisë TAP AG;
b) Për të gjitha pasuritë, për të cilat në kolonën përkatëse nuk është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP”, pronarët do të likuidohen pas konfirmimit të plotë të lëshuar nga ZVRPP-të dhe dorëzimit të dokumentacionit të pronësisë, në zyrat e shoqërisë TAP AG.

7. Përdoruesit e tokës, të cilët kompensohen për kulturat “bujqësore” dhe “drufrutorë”, referuar shumave respektive të pasqyruara në tabelat bashkëlidhur këtij vendimi, duhet të paraqesin për likuidim dokumentet, kërkesën, kopjen e kartës së identitetit, vërtetimin mbi numrin e llogarisë të lëshuar nga bankat përkatëse/IBAN-in, si dhe certifikatën familjare në zyrat e shoqërisë TAP AG.

Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, përkatësisht Berat, Skrapar dhe Fier, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë që do t’u vihet në dispozicion nga TAP AG, si dhe do të pezullojnë të gjitha transaksionet për pasuritë, deri në momentin kur do të realizohet regjistrimi i pasurive që shpronësohen, merren në përdorim të përkohshëm dhe mbi të cilat vendoset servituti i kalimit në favor të shtetit, citon relacioni i këtij vendimi.

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here