Në qershor do të nisë funksionimi i Komunitetit të Transportit të Ballkanit Perëndimor.

Lajmin e jep Beogradi zyrtar, i cili pritet që të marrë presidencën dhe të shndërrohet në seli të këtij projekti madhor në fushën e transportit, financuar nga Këshilli i Europës.

Shqipëria, tashmë vetëm anëtare, do jetë pjesë e një rrjeti për integrimin e 6 shteteve Ballkanike, me qëllim arritjen e standardeve të përbashkëta, efikasitetit të rrjetit dhe cilësisë së shërbimit të ofruar qytetarëve dhe bizneseve.

Serbia sakaq, pret që Komuniteti i Transportit i Ballkanit Perëndimor të hapë selinë e vet në Beograd në qershor, sipas ministres së infrastrukturës Zorana Mihajloviç.

Sipas saj, Qeveria e Serbisë do të japë mbështetje të plotë në selinë e Komunitetit të Transportit të Ballkanit Perëndimor në Beograd, i cili do të operojë në qershor.

“Sekretariati i sapokrijuar do të ketë një përgjegjësi të madhe për të ndihmuar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në arritjen e qëllimeve të tyre të transportit dhe të bëhet pjesë e tregut të transportit të Bashkimit Europian”, tha Alain Baron, përfaqësues i Komisionit Europian (KE).

Në korrik 2018, Bashkimi Evropian dhe Serbia ranë dakord për të krijuar selinë e Komunitetit të Transportit të Ballkanit Perëndimor në Beograd. Vendimi u mor nga ministrat e transportit të vendeve pjesëmarrëse në iniciativë dhe u konfirmua në dhjetor 2018 gjatë takimit të parë të Këshillit BE-Ballkani Perëndimor për Komunitetin e Transportit në Bruksel.

Komisioni Evropian nënshkroi një traktat të Komunitetit të Transportit me Serbinë, Malin e Zi, Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë në një samit në Trieste të Italisë, në korrik 2017, si dhe me Bosnja dhe Hercegovinën në shtator të atij viti. Objektivi kryesor i traktatit është një integrim më i thellë i rajonit të Ballkanit Perëndimor me tregun e transportit të BE-së.

Projektet e ndërlidhjes mes Europës e Ballkanit

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë përfshirë si një zgjerim indikativ në rrjetin transeuropian të transportit (TEN-T) duke përfshirë rrjetin bazë, korridoret e rrjetit bazë dhe projektet prioritare të paracaktuara për investime në infrastrukturë.

Zgjerimi i korridoreve të rrjetit thelbësor TEN-T në Ballkanin Perëndimor siguron një integrim më të ngushtë me BE-në, si dhe bazën për shfrytëzimin e investimeve në infrastrukturë, siç është mbështetja e BE-së nëpërmjet Mekanizimit Investues të Ballkanit Perëndimor (ËBIF) dhe Mekanizimit të Ndërlidhjes së Europës (CEF).

Programi TEN-T u krijua në vitin 2006 nga Komisioni Europian për të mbështetur ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së transportit në të gjithë Bashkimin Europian, por tashmë është shtrirë edhe në Ballkan, që prej vitit 2015.

Ai mundëson përkrahje financiare për realizimin e projekteve të rëndësishme të infrastrukturës së transportit – në përputhje me synimin për rritjen e konkurrencës europiane, krijimin e vendeve të punës dhe ndërveprimin.

Projektet e Programit TEN-T mbulojnë të gjitha mënyrat e transportit – ajri, hekurudha, rrugët, rrugët ujore, si dhe logjistika dhe sistemet e transportit inteligjent.

Ndonëse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë ende në Bashkimin Europian, që prej angazhimit të Samitit të Berlinit të vitit 2014, dhe më pas në një takim të ministrave përkatës në Riga në vitin 2015, Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia janë pjesë e axhendës së ndërlidhjes europiane.(monitor)