Nga Ilir Mborja/

Sot, në seancën plenare grupi parlamentar i PS ka marrë nismën për të filluar një debat mbi procedurat për shkarkimin e Presidentit të Republikës, zotit Ilir Meta.

Pa asnjë dozë ironie, qysh në fillim mendoj se arsyeja e pretenduar nga socialistët (për shkelje të Kushtetutës nga ana e presidentit duke çdekretuar datën e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit) në këtë moment nuk është bindëse.

Madje për mua është iracionale. Dal në këtë konkluzion pasi Ilir Meta, në cilësinë e presidentit të zgjedhur të Republikës, me deklaratat e tij publike të papërgjegjëshme më 17 qershor 2017, duke i bërë thirrje popullit për “t’u armatosur!” e kishte rezauruar plotësisht arsyen e shkarkimit nga posti i lartë…

Madje, pas dy ditësh, i ftuar në emisionin “Opinion”, pyetjes së një qytetari në telefon, se “ku do t’i gjente populli armët për t’u armatosur, pasi në Shqipëri nuk ka dyqane armësh?”, përgjigjja e Presidentit të zgjedhur Ilir Meta në ligjëratë të drejtë ishte kjo: “Dihet ajo shprehja, në mos kini armë gjeni, ja rrëmbeni atij qeni”.

Pra, përveçse konsumoi një thirrje antikushtetuese për armatosje të popullit, presidenti i zgjedhur Ilir Meta quajti “qen”(?!) shtetin, policinë…

Socialistët dhe grupi i saj parlamentar, pas atyre deklaratave të çmendura të Ilir Metës, nuk bëri atë që duhej bërë atëherë për të mbrojtur Kushtetutën, rendin dhe pse jo, edhe jetën tonë…

Bash për këtë, nisma e socialistëve për të debatuar nisjen e procedurave të shkarkimit të Presidentit për arsyen të cilën mbase me të drejtë e pretendojnë, sot për mua tingëllon iracionale dhe e pandershme.

Meqenëse Ilir Meta, duke qenë i zgjedhur në postin e presidentit të Republikës ka bërë thirrje të çartura mendërisht si: “Shqiptarë armatosuni!” (17/06/2017) dhe “Në mos kini armë gjeni, ja rrëmbeni atij qeni!” (TV Klan 19/06/2017), apo, kur ka shfaqur publikisht çrregullime psiqike duke deklaruar para kamerave nga Pogradeci: “Jam i gatshëm të vetëflijohem si Allende…” (20/04/2019), mendoj se problemi i tij ka të bëjë me shëndetin mendor dhe për këtë duhet përdorur vetëm metoda mjekësore.

Ndërkohë, gjithmonë duke shprehur mendimin tim si zgjedhës, nuk do të më vinte mirë që ky president të shkarkohej për një çështje kaq të diskutueshme siç është çdekretimi i datës së zgjedhjeve të 30 qershorit. SPAK-u po krijohet dhe nxitimi për t’i dhënë këtë favor (duke e shkarkuar për këtë shkelje) më duket i dyshimtë.

Nëse socialistët duan ta ndihmojnë vërtetë Ilir Metën, drejtimi për tek mjekët psikiatër dhe këshillimi nga ana e tyre që ai të jetë bashkëpunues me ta, është favori më i mirë që e justifikon atë nga gjithçka antikushtetuese që ka konsumuar.

Edhe po të jetë një kleptoman, siç përflitet nga shumëkush, drejtimi për tek mjekët psikiatër mendoj se është rruga e vetme, më e drejtë dhe më humane për Ilir Metën..

(TemA)