Nga studio e ERTV-së, ku ishte e ftuar për të folur mbi prioritetet në drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrja Belinda Balluku, ka folur edhe për procesin e skanimit të kontratatve jo operative të HEC-eve në vend. Balluku theksoi se nga 54 subjekte që kanë kaluar tanimë në skanim, 8 prej tyre kanë patur probleme të rënda me mospërmbushjen e kushteve ligjore dhe teknike, çfarë ka çuar në prishjen e njëanshme të kontratës me to.

Kjo prishje e kontratës, tha Balluku, nuk do të ketë asnjë rrisk financiar për buxhetin e shtetit, sepse procesi është duke u kryer konform ligjit dhe strukturat tona janë impenjuar për këtë. “Situata e hidrocentraleve të vogla, sepse në këtë proces i referohemi hidrocentraleve nën 2 megawt, pasi hidrocentralet me fuqi më të madhe kryesisht, operojnë në kushte teknike dhe ligjore të përmbushura. Publiku duhet të jetë i qartë se askush nuk i ka ndaluar këto hece të operojnë, askush nuk ka ndaluar biznesin apo balancën e investimeve, thjesht është identifikuar një situatë joligjore në përmbushje të kushteve kontraktuale”, tha ministrja.

Balluku shtoi se përveçse verfikimit dokumentar, janë duke u kryer edhe verifikimet në terren për këto subjekte. Ky proces skanimi sipas saj, ka nxejrrë në pah edhe nevojën për të ndryshuar ambientin ligjor, qofshin vkm apo ligje që rregullojnë fushën e energjisë përgjithësisht. “Ne jemi duke punuar për të përmirësuar kuadrin ligjor, si në prodhimin e hidrocentraleve, ashtu edhe të parqeve solare”, tha Balluku.